Më 4 janar kalendari kishtar kujton Shën Anxhela nga Folinjo. Mistike e madhe mesjetare,
që jetoi ndërmjet viteve 1248 e 1309.
Anxhela da Folinjo, mistike e madhe mesjetare, e shekullit XIII. Në fillim ishte larg
Hyjit Atë e Jezu Krishtit. Por më pas u njoh me figurën e Shën Françeskut, që ia zgjoi
shpirtin e përgjumur, ia hapi sytë, për të parë të Kryqëzuarin e për ta ndjekur në
rrugën e Kalvarit, drejt Hyjit Atë.
Shenjtorja nga Umbria, bijë e një familjeje të kamur, u kthye në rrugën e fesë duke
ecur në gjurmët e Shën Françeskut, duke hyrë në të Tretin Urdhër Françeskan e duke
jetuar në varfëri të plotë, në shoqëri me një grup ndjekësesh. Pati vegime të jashtëzakonshme
mistike e shkrimet e saj e bënë të famshme si “Mësuese teologjie”.
Anxhela nga Folinjo lindi në qytetin e përmendur në Umbria të Italisë më 1248.
Figura e Shën Anxhela nga Folinjo na fton t’i ndjekin me vëmendje sinjalet e Zotit.
Hyji ka mijëra mënyra për t’i folur shpirtit të secilit nga ne; na drejton mijëra
shenja apo sinjale, për të na i prekur zemrat tona njerëzore. Ta lusim, prandaj, të
na ndihmojë për ta përqendruar vëmendjen tek prania e tij në jetën tonë.
Sot të gjithë rrezikohemi të jetojmë sikur të mos kishte Zot, këtë ide të propaganduar
e ndeshim kudo në realitetin bashkëkohor.
Edhe Shën Anxhela nga Folinjo, mistike e madhe mesjetare, që jetoi në shekullin XIII,
në fillim të jetës së saj ishte larg Hyjit Atë e Jezu Krishtit. Por në moshën 37 vjeçare,
ndryshoi rrënjësisht jetën e sjelljet e saj. Më 1285 u njoh me figurën e Shën Françeskut,
që ia zgjoi shpirtin e përgjumur, ia hapi sytë, për të parë Jezusin e Kryqëzuar e
për ta ndjekur në rrugën e Kalvarit, drejt Hyjit Atë. “Askush nuk duhet të justifikohet
se nuk mund ta njohë Zotin; gjithkush mund ta njohë e mund ta dojë Atë!”, shkruan
Shenjtorja. Në vitin 1291i bën kushtet e jetës rregulltare në Urdhrin e Tretë françeskan.
Në rrugën shpirtërore të Anxhelës, kalimi nga kthimi në rrugën e Zotit, tek përvoja
mistike, nga çka mund të shprehet, tek e pashprehshmja, arrihet falë lidhjes së ngushtë
me Krishtin e Kryqëzuar, i cili bëhet mësuesi i saj i përsosurisë së jetës shpirtërore.
Kështu, pra, e nis rrugën e re shpirtërore. Hap pas hapi. Reflektim pas reflektimi.
Vegim pas vegimi.
Anxhela nga Folinjo e paraqet të jetuarit mistik, pa e vrarë mendjen fare, sepse ndriçimet
hyjnore i komunikohen shpirtit të saj krejt papritmas. E ka të vështirë ta shprehë
përvojën e saj mistike. Vështirë, të kuptohet prej të tjerëve. Është në një gjendje,
që tregon qartë se Mësuesi i vetëm e i vërtetë, Jezusi, jeton në zemrën e çdo besimtari
e dëshiron ta pushtojë plotësisht.
Në të vërtetë, rruga e Anxhelës është kapitëse. Gjatë fazës së parë, siç përmendem
më parë, ajo nuk beson se Zoti e do. I vjen turp, kur kujton mëkatet e veta. Tmerrohet,
kur mendon se e pret dënimi i amshuar.
Kjo frikë nga ferri i përgjigjet tipit të fesë, që kishte Anxhela në çastin e kthimit
të saj; një fe ende e varfër, pa shumë dashuri hyjnore.
E ndjen se duhet t’i dhurojë diçka Zotit për pendesë të mëkateve të veta, por dalëngadalë
kupton edhe se nuk ka asgjë për t’i dhuruar, madje se është asgjë para Tij.
Megjithëse bën një rrëfim të mirë, në shpirtin e Anxhelës, zhvillohet një betejë e
vërtetë: e ndjen se Zoti e ka falur, por edhe se në shpirtin e saj nuk janë zhdukur
ende gjurmët e mëkatit; e ndjen se është e lirë nga e kaluara, por edhe e kushtëzuar
prej saj; se i janë zgjidhur leqet e fajit, por edhe se ka akoma nevojë për pendesë.
Duhet të bëjë edhe një hap, përpara se të arrijë tek pjekuria shpirtërore, përmes
së cilës, ndjesa e Zotit e pushton plotësisht shpirtin e saj. Është dhurata më e madhe,
falas, që i bën Ati qiellor. E ky hap, është kuptimi i flijimit të Jezusit.
Çka do ta shpëtojë nga ‘padenjësia’ e nga ‘ferri i merituar’, nuk do të jetë bashkimi
i saj me Zotin e zbulimi i së vërtetës, por Jezusi i kryqëzuar, kryqëzimi i Tij për
të, dashuria e Tij. Kundron kryesisht Krishtin e kryqëzuar, sepse në këtë vegim shikon
të realizuar drejtpeshimin e përkryer: mbërthyer mbi kryq është njeriu-Zot, në aktin
më të lartë të mundimit, njëkohësisht edhe akti më i lartë i dashurisë.
E gjithë përvoja mistike e Shenjtores s’është tjetër, veçse përpjekje për t’i përngjarë
përsosurisht Zotit, përmes spastrimit e shndërrimeve gjithnjë më të thella e më rrënjësore.
Për ta realizuar këtë dëshirë, ajo është gati të dhurojë gjithë vetveten, shpirt e
korp, pa marrë parasysh asnjë dhimbje, asnjë vështirësi. Nuk ia kursen vetes pendesat
e trazirat, nga fillimi deri në fund.
Dëshiron vetëm një gjë: të vdesë duke mbartur në trup të gjitha dhimbjet, që provoi
Zoti-njeri i mbërthyer mbi kryq, për t’u shndërruar kështu, plotësisht, në Të. Ky
njëjtësim, do të thotë edhe të jetosh gjithçka që jetoi e pësoi Jezusi: varfërinë,
përbuzjen, poshtërimin, dhimbjen. Sepse drejtpeshimi ndërmjet dashurisë e dhimbjes
është krejt i paqëndrueshëm: mund të kalohet shpejt nga dhimbja, në dashuri e nga
dashuria, në dhimbje. Binom, ky, që e provoi Krishti në Kryq e, pas tij, të gjithë
ata, të cilët e marrin kryqin çdo mbi vete e ecin, prej shekujsh, me vetëdije të plotë,
në udhën e Kalvarit.
Është kjo udha që të çon nga Kryqi, tek Dashuria, tek Zoti. Prandaj, e gjithë përvoja
mistike e së Shën Anxhela nga Foliojo na çon tek përfundimi se vetëm me Zotin jeta
njeriut bëhet e vërtetë. E sot, me shembullin e saj, na kujton se duhet t’ia kushtojmë
tërë vëmendjen tonë pranisë së Zotit në realitetin e përditshëm, për të kuptuar kështu
se cila është rruga që duhet të përshkojmë, rruga e Zotit e me Zotin.
Ta lusim, prandaj, Hyjin, që të na bëjë ta ndjejmë praninë e Tij në shpirt, në zemër,
në jetë e të na dëshmojë se është, se na njeh, se na do. “Magistra theologorum” vdiq
në Folinjo më 1309.
All the contents on this site are copyrighted ©. |