2018-01-04 14:53:00

Kardinali Cipriani për shtegtimin e Papës në Perù: në vend, shpresë e gëzim


Shtegtimi Apostolik i Françeskut në Perù, në program nga 18 deri më 21 janar, i mbush me gëzim e shpresë zemrat e peruvianëve. Këtë pohon kryeipeshkvi i Limës, kardinali Luis Cipriani Thorne, në mikrofonin e Radios sonë, duke shtuar se shenjtorët janë pasuria e vërtetë  e madhe e vendit:

Peruja është vend  shumë katolik, shumë pranë Atit të Shenjtë. Gjithë vendi është në lëvizje: lëvizje e ngarkuar me shpresë e gëzim të pamasë.

Kjo sternë shprese duket sidomos në historinë e Perusë, vend me pasuri të pafundme. E pasuria më e madhe e vendit - siç e kujton edhe Papa nësa përgatitet për këtë shtegtim - janë shenjtorët e tij, që e  bashkuan Perunë e i dhanë shumë mbarë Amerikës Latine…

Jeta e këtyre shenjtorëve është pjesë përbërëse e identitetit të popullit peruvian. S’ka peruvian, që s’e ndjen shumë pranë Shën Rozën e Limës, Shën Martinin Porres, il Señor de los Milagros...  Është prani shumë e thellë e shumë shpirtërore, që u tregon udhën të gjithë latinoamerikanëve. E shenjtorët e parë vijnë nga Peruja.

Një nga çastet kulmore të vizitës do të jetë takimi me popullin e Amazonës. Çast, në të cilin do të jehojë fuqishëm enciklika papnore “Lëvduar qofsh”…

Papa e ka shumë për zemër respektimin e natyrës. Në Peru shtrihet edhe një pjesë e pyllit amazonik. E këtu Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim në mbrojtje të natyrës: ne kemi nevojë, shumë nevojë, për këtë natyrë. Nëse e shkatërrojmë natyrën, shkatërrojmë edhe njerëzit, që jetojnë në këto vise. Mendoj se ky do të jetë edhe fillimi i Sinodit panamazonik të vitit të ardhshëm.

Shtegtimi i Atit të Shenjtë tregon edhe se Papën e tërheq shumë Peruja, përshpirtëria e thellë popullore e banorëve të këtij vendi…

Po, unë  i ndjej këto troje, si vend që e tërheq fort Papën, vend që e ka shumë për zemër e që e ndjen shumë pranë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.