2018-01-01 00:00:00

Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!


Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!   Zoti që e kurorëzon Vitin 2017 me mirësinë e Tij Hyjnore, ju pasuroftë me dhanti e të mira Hyjnore gjatë tërë Vitit të Ri 2018! 

Urimi jonë për Vitin e Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e mira të të gjithëve. Ati pra, t’ia besojmë dëshirat, synimet e planet tona. Atij t’ia lartojmë lavdet e lutjet plot besim duke thënë: 

Ty, o Atë i jetës, zanafillë pa fillesë, e mira e pambaruar e drita e amshuar, me Birin e me Shpirtin nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje, në shekuj pa mbarim. Amen! Në Ty, o Atë i jetës shpresuan dhe në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë. Uroj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen! 

Ja, Viti i Ri

shtigje të reja na hap përpara,

e ecim, pa ditur ku shkojmë,

e presim plot shpresë

ditët e reja.

Ç’na pret këtë vit, o Zot?

Si do t’i prijmë

karvanit të gjatë të ditëve

e grigjës së zezë të netëve?

Ç’do të na dhurojnë?

E sidomos çfarë kanë ndër mend të na mohojnë?

Veç ti e di, o Zot,

prandaj na fol, e  zemrat do t’i hapim

për të pritur Fjalën tënde,

si pritet drita në terr

e zjarri në vatër të fikun.

Na fol, sidomos,

në të ftohët e nëpër natë,

që shtigjeve të këtij viti të vështirë

të ecim me kujdes,

për të parë në to shenjat

që Ti na kumton,

për të shkelur mbi gjurmët e Tua:

për të gjetur shenjat e shpresës sate,

të mirësisë, të paqes, të dashurisë.

E drita jote të na ndrisë,

kur të bëhet natë.

Me ty do të ecim përsëri,

deri te drita e ditës së re,

e Vitit tjetër të Ri.

Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!








All the contents on this site are copyrighted ©.