2017-12-31 16:56:00

Te Deum: ç'është himni i 31 dhjetorit e kush e ka shkruar


Te Deum (saktësisht “Te Deum laudamus”, “Ty o Zot të thurim lavde”) është himn i krishterë falenderimi, që tradicionalisht, këndohet në mbrëmjen e 31 dhjetorit, gjatë mbrëmësoreve të para të solemnitetit të Marisë, Nënës së Zotit. Me të falenderohet Zoti për të gjitha dhuratat e vitit, që po përfundon. Por “Te Deum” këndohet edhe në raste të veçanta, si për shembull, pas zgjedhjes së Papës së ri, në Kapelën Sikstine, para se të shpërndahet Konklavi, ose në përfundim të një Koncili.

Kush e ka shkruar?

Janë disa autorë, të cilëve u atribuohet atësia e tekstit. Tradicionalisht, konsiderohej autori i tij, Shën Çipriani i Kartagjenës, por sot, specialistët mendojnë se dorën e fundit ia ka dhënë Niketa, ipeshkëv i Remesianës (Daça e poshtme), në fund të shekullit IV. Sipas një legjende (daton më së voni sipas një kronike milaneze të shekullit XI, që i atribuohet gabimisht ipeshkvit Dacio), Te Deum-i është kënduar nga Shën Ambrozi dhe Shën Augustini, në ditën e pagëzimit të këtij të fundit, në Milano, në vitin 386, prandaj është quajtur edhe “himn ambrozian”.

Kush e ka kompozuar muzikën?

Te Deum-i është vënë në muzikë nga disa kompozitorë: Giovanni Pierluigi nga Palestrina, de Victoria, Händel, Mendelssohn, Mozart, Haydn e Verdi. Gjithnjë, muzika e Te Deum-it është përdorur në raste të ndryshme: preludi i Te Deum-it H.146 e Charpentier vijon të përdoret si sigla e fillimit dhe e mbarimit të transmetimeve në Eurovision. Te Deum-i mund të dëgjohet edhe në korin e finales së aktit të parë të operës “Toska” të Giacomo Puccini-t. Disa pjesë të tekstit janë përdorur edhe për muzikën e filmit “Gungaçi i Shën Marisë së Parisit” (Disney), në veçanti në pjesën “Sanctuary!” (Streha), për të shoqëruar skenën, në të cilën Frolo është gati ta vrasë Esmeraldën, si edhe skenat e sulmit mbi katedrale.

Cila është përmbajtja?

Himni ndahet në tri pjesë:

- E para, deri në “Paraclitum Spiritum”, është lavd trinitar për Atin Qiellor. Nga pikpamja letrare, është shumë e ngjashme me një anaforë eukaristike, pasi përmban Sanctus-in e trifishtë.

- Pjesa e dytë, nga “Tu rex gloriae” në “sanguine redemisti”, është lavd për Krishtin Shëlbues.

- Pjesa e fundit, nga “Salvum fac”, është një vazhdë përgjërimesh dhe versetesh marrë nga Libri i Psalmeve.

Zakonisht, Te Deum-i këndohet me kore që pasojnë njëri-tjetrin: presbiteri apo kremtuesi dhe populli.








All the contents on this site are copyrighted ©.