2017-12-30 12:54:00

Ditёt e fundit tё Vitit 2017- Bekuar e Gëzuar Vitin e ri 2018!


Ditёt e fundit tё Vitit 2017- Bekuar e Gëzuar Vitin e ri 2018! Të dashur miq tё Vatican News e tё Radio Vatikanit kudo që jeni, nё pragun e festës sё Vitit tё Ri, në punë a në shtëpi, me të afërmit e miqtë, vetëm a me shokë, redaksia shqipe ju uron me gjithë zemër ta kaloni me gaz e hare fundin e vitit 2017e gëzuar Vitin e Ri 2018. Ju urojmë të gjithëve ta kaloni pranë Krishtit e me Zotin. Është i vetmi që mund ta ndihmojë njeriun e t’u japë përgjigje gjithë pyetjeve që e mundojnë, t’ia lehtësojë gjithë mjerimet, t’ia shumëfishojë gjithë gëzimet. 

Dëshironi vëllazërimin? Jezu Krishti na kujton se jemi të gjithë vëllezër!
Keni etje për të qenë njerëz të vërtetë? Jezu Krishti e dënon me forcë çdo hipokrizi.
Jeni kundër autoritarizmit e despotizimit? Jezu Krishti ka thënë se autoritet domethënë shërbim.
Nuk e duroni dot formalizmin? Jezu Krishti nuk i pranon lutjet e thëna pa shpirt, lëmoshët e bëra për t’u dukur, bamirësinë me interes.
Dëshironi lirinë fetare? Jezu Krishti do që të gjithë njerëzit ta njohin të vërtetën, por nuk e detyron askënd ta ndjekë duke përdorur forcë e dhunë, nuk e ndalon propagandën kundër tij.

Jezusi nuk i ndëshkoi as Apostuj kur e braktisën, s’e mohoi Pjetrin, që e kishte mohuar, nuk e përjashtoi nga radhët e të vetëve Tomën, që kishte dyshuar në ngjalljen e Tij. Është e vërtetë se kërkoi e kërkon të pranohet si njeri e si Zot, por jo me detyrim: jemi krejt të lirë të mendojmë e të provojmë në se duhet pranuar Krishti Zot.

Urojmë, prandaj, që çdo njeri vullnetmirë, si ta ketë provuar të vërtetën e Jezu Krishtit, ta pranojë në të gjitha ditët e Vitit të Ri 2018 e në të gjitha ditët e jetës!
Koha që po jetojmë nuk është e lehtë. Kriza ekonomike mbjell pasiguri e konfliktet e përhapura nëpër botë, i shumëfishojnë pyetjet për të ardhmen. Viti i Ri që po vjen tërheq pas vetes problemet e pazgjidhura të vitit që po shkon. 

Në këtë situatë, së bashku me Papën, reflektojmë e bëjmë pyetjen “Kush do të na ndihmojë të jetojmë?” Që në fillim të papnisë së tij, Ati i Shenjtë vuri në dukje detyrën e atyre, që Zoti i ka thirrur të shpallin Lajmin e Mirë të Ungjillit. “Ne – pati thënë Papa– ekzistojmë për t’ua treguar Zotin njerëzve”. Nuk është detyrë e lehtë. Të merresh me Perëndinë do të thotë të vësh në diskutim veten e të tjerët në të gjitha fushat. Është si të rifillosh një lojë shahu: ndryshon strategjia, sepse gjërat shihen nën një dritë të re.

Papa ka thënë gjithnjë se dëshiron ta konfrontojë jetën e përditshme me Zotin, pasi Hyji është i vetmi, që mund të sjell gëzimin që nuk zhduket papritmas, por na shoqëron gjatë. Por të vendosësh Zotin në qendër të jetës kërkon kthimin e zemrave. E Papa vë në dukje këtë nevojë, pikë së pari për Kishën, në të cilën bën pjesë si besimtar e si Bariu i saj shpirtëror, pastaj për të gjithë njerëzit e për të gjitha strukturat. Nuk është fjala për të ndërruar fe, por për ta lidhur fenë me arsyen, në një dialog të frytshëm e të sinqertë, ku ndodh që në bankën e të akuzuarve të jetë edhe ai që merr pjesë në këtë dialog. 

Papa nënvizon me forcë se në qendër të shpresës së krishterë është Krishti, ai pohon Papa, do ta gjykojë historinë me metrin e dashurisë e tё mëshirës. Është një këndvështrim optimist i së ardhmes. Në momentin e gjykimit eksperimentojmë e kuptojmë ngadhënjim e dashurisë së Zotit mbi të këqijat e botës dhe mbi errësirën brenda nesh. Dhimbja e dashurisë bëhet shpëtimi e gëzimi ynë.

Papa ka zgjedhur të veprojë për paqen në botë, pikërisht sepse e konsideron atë paralajmërim të Mbretërisë së Zotit e pik e domosdoshme vëllazërimi mes popujve. Papa e shikon të tashmen, duke u nisur nga fundi i të gjitha kohërave e nga ardhja e Jezu Krishtit në lavdi. Prandaj na fton drejt pajtimit e vëllazërimit, që sjell faljen e paqen, dhuratë e Zotit, kur i bëjmë vend në zemra, dhuratë e Atij që na ndihmon të jetojmë.

Këto orё të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohen edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes sonё personale e komunitare. Të gjithë i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të sigurtë se Hyji, i pasur me mëshirë, është pafundësisht më i madh se mëkatet tona.
Në Ty, o Zot shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në këto festa - Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen e Zotit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.