2017-12-25 12:53:00

Krishtlindje në Betlehem: kremton Imzot Pizaballa, i pranishëm Abu Mazen


Sytë e mbarë botës ishin drejtuar kah Betlehemi në Natën Shenjte të Lindjes së Krishtit. Sidomos pas tensioneve e ndeshjeve me ushtrinë izraelite. Po Krishti  lindi përsëri në Shpellën e lashtë të qytezës. Kisha e priti, si për vit,  në festë, me Meshën e kryesuar nga imzot Pizzaballa e, si çdo vit, edhe me praninë e presidentit palestinez, Abu Mazen, i cili sapo ishte kthyer nga Arabia Saudite e nga Franca, pas takimeve me mbretin Salman dhe presidentin Emmanuel Macron. Abu Mazen, në një komunikatë drejtuar bashkësive të krishtera, uroi të realizohen aspiratat e palestinezëve për liri e pavarësi,  me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.

Ndërkaq në Viset Shenjte nisi kremtimi tradicional. Arriti me procesion nga Jeruzalemi, Admnistratori Apostolik i Patriarkatit Latin, Imzot Pierbattista Pizzaballa,  për të kryesuar, mbrëmë, Meshën e Natës së Krishtlindjes, në të cilën mori pjesë një numër i madh besimtarësh e shtegtarësh, pavarësisht nga kushtet e vështira të sivjetme. Krishti vjen çdo vit për të gjithë njerëzit e, sidomos, për ata, që e njohin, kur kalojnë çaste të vështira. Imzot Pizaballa u prit në Sheshin e Grazhdit, ku lartohet Bredhi i Krishtlindjes, pranë Shpellës së Betlehemit e ku binte në sy një afishe kundër qëndrimit të Trump, vendosur aty nga autoritetet vendase. E u rrethua menjëherë nga dhjetra skaut, që nisën këngët e festës.

Tensionet nuk mundën t’i pengojnë edhe mijëra shtegtarët, nga të katër anët e botës, për ta jetuar këtë Natë të madhe atje ku lindi Zoti. Ndonëse priteshin shumë më tepër. Edhe pse ishin marrë të gjitha masat e sigurisë, në Solemnitetin e sivjetëm u ndje fort, edhe një herë hija e “herodëve të radhës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.