2017-12-22 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës së 4-të të Ardhjes ‘B’


Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë të vitit kishtar.

Ungjilli i dielës së katërt të kohës së Ardhjes na ofron temën e Lajmërimit të Virgjërës Mari nga Engjëlli i Zotit, mister tek i cili kthehemi përsëri çdo ditë, duke then uratën e Engjëllit të Tënzpt, uratën që na bën ta rijetojmë çastin vendimtar, në të cilin Hyji trokiti në zemrën e Marisë e, si mori ‘po’-në e Virgjërës, nisi të mishërohej në të e prej saj.

Pak orë para Krishtlindjes, Fjala e Zotit na fton të gjithëve të refletojmë për misterin e patregueshëm, që Maria e mbajti nëntë muaj në kraharorin e saj virgjëror. Misteri i Hyjit, që bëhet njeri! Eshtë kjo baza e pare e shpërblimit. E dyta është vdekja edhe ngjallja e Jezusit, e këto dy baza të pandashme, janë shprehje e të vetmit plan të Hyjit: të shpètojë njerëzimin e historinë e tij, duke marrë plotësisht mbi vete, deri në fund të fundit, të keqen që e shtyp.
Mister i shëlbimit i cili, përveç përmasës historike, ka edhe përmasën e vet kozmike. Krishti është Dielli i hirit të Tënzot që, me dritën e Tij, e shndërron dhe e ndrit universin në pritje.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na fton të mësojmë nga Jozefi e Maria të fshehtën e lutjes, për ta shijuar kështu, me fund, gëzimin e pritjes së Jezusit. Të përgatitemi për ta pritur me fe Shëlbuesin e njerëzimit, Mishërimin e Jezu Krishtit, që vjen të rrijë me ne, Fjalë e dashurisë së Hyjit për njerëzimin e të gjithë kohëve.

Duke ndezur qiriun e katërt, në të dielën e fundit, mendojmë për Atë, Marinë Virgjër, natën tënde dhe tonën. Askush nuk të ka pritur ma aq butësi, me aq dashuri. Askush nuk të ka pritur me aq gëzim. Ti lulëzojë në Të, sikurse fara e hedhur në dhe. Ne krahet e saje Ti gjete djepin me te bukur. Edhe ne duam te pergatitemi keshtu: ne fe, ne shprese, ne dashuri, ne punen e perditshme. Eja shpejt, o Zot! Eja per te na shpetuar!
Eja, O Drite e vertete, Ti qe shndrit cdo njeri. Shndriti erresirat tona dhe nuk do te kemi me frike, sepse, o Jezus, ti je drite ne rrugen tone. Bej qe t'ua cojme driten tone vellezerve tane. Amen.

                                                  LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (2 Sam 7, 1-5.8-12.14.16)
Davidi do të ndërtojë një shtëpi për Hyjin, por Hyji deklaron se do të jetë ai që do të ndërtojë shtëpinë e Davidit. Lavdia e Hyjit nuk gjendet në monumentet e shenjta, por në njeriun, krijesë e bërë në shëmbëlltyrën e Hyjit. Davidi do të vendosë Hyjin mes katër mureve të tempullit; por Hyji është kudo atje ku njeriu kultivon dashurinë dhe jeton me shpresë.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Kur mbreti David zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!” Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty.” 
Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? Tani kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i zhbiva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë. Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, prej ditës kur i caktova gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë. Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim.” Fjala e Zotit! 

Psalmi 89 (88) 
Ref: Zoti është besnik për amshim

_____________ 
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,
brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.
Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
_____________ 
“Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim,
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.
_____________ 
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën,
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.”
_____________ 

Leximi i dytë (Rom 16, 25-27)
Për shumë veta mister do të thotë diçka që s’kuptohet. Për ne misteri është Krishti. Ai është plani i Hyjit që është zbuluar përpara në Besëlidhjen e Vjetër nëpërmjet profetëve dhe më pas në Besëlidhjen e Re nëpërmjet personit të Krishtit. Krishti na është zbuluar neve me fjalë dhe shenja njerëzore për të na tërhequr drejt bindjes së besimit të lirë dhe të përgjegjshëm.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, Atij që mund t’ju forcojë – sipas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së Misterit, të mbajtur fshehur për kohë të amshuara, por tani të shfaqur dhe, me anë të shkrimeve të profetëve, me urdhër të Hyjit të amshuar, të lajmëruar mbarë popujve paganë për t’i sjellë në dëgjesën e fesë – Një të vetmit Hyj, të gjithëdijshmit, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
Unë jam shërbëtorja e Zotit: 
Më ndodhtë siç the ti!
Aleluja.

Ungjilli (Lk 1, 26-38) 
Engjëlli në emër të Zotit i kërkon Marisë të bëhet nëna e Mesisë. Nga ajo do të lindë Jezusi, Biri i Hyjit dhe i Marisë, dhe do të bëjë pjesë në pasardhësit e Davidit nëpërmjet Jozefit; mbretëria e tij do të jetë e amshuar. Premtimet e Hyjit që realizohen në Jezusin janë vepër vetëm e Hyjit dhe jo e njeriut, edhe pse Maria bashkëpunon me Hyjin. 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës 
Në atë kohë, Hyji i dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 
Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” 
Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. 
Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit të tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.” 
Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 
Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit. Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e vet, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 
Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” 
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.