2017-12-20 13:38:00

Vizatimet e fëmijëve dhuruar Papës, për mjekimin e vocrrakëve të botës


“I dashur Papa Françesku, po të dhuroj një vizatim”. Kështu titullohet ekspozita e organizuar nga Spitali i Krishtit Fëmijë (Bambin Gesù) dhe revista Qytetërimi Katolik (Civiltà Cattolica): 100 vizatime, ekspozuar në Selinë Palidoro të spitalit pediatrik, për mbledhjen e fondeve, që do të shërbejnë në mjekimin dhe strehimin e të sëmurëve të vegjël, të ardhur nga jashtë. Vizatimet, dhuruar nga fëmijët Papës Françesku, do të jenë dhuratë për fëmijët e tjerë të botës, që kanë nevojë për mjekime.

Ekspozita, e çertifikuar nga Sekretaria e veçantë e Papës, u përurua mbrëmë, në orën 18.30, në Selinë Palidoro të spitalit pediatrik:  

“Në veprimtarinë tonë ndërkombëtare - pohoi kardinali Pietro Parolin - i pranishëm në përurim - kryet e vendit e zë vëmendja për fëmijët. Është kjo detyra e dorës së parë, që kryhet nga spitali pediatrik i Krishtit Fëmijë e që bashkon pasionin, me dashurinë e krishterë e me inteligjencën e diturive mjekësore. Ta mbështesësh veprimtarinë e tij, do të thotë t’i zgjerosh kufijtë e solidaritetit: në dy vjetët e fundit këtu u shtruan rreth 100 pacienët, nga 30 vende të botës. E me këtë lidhen edhe nismat e mbledhjes së fondeve, si ekspozita jonë; janë aksione, të cilat kërkojnë të dhurohet diçka, për ta mundësuar mjekimin e përshtatshëm të fëmijëve të sëmurë, që jetojnë në perifertitë e botës, e për t’u bërë mjekimet më të mira të mundshme”.

I pranishëm në hapjen e Ekspozitës, edhe atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës “Qytetërimi Katolik,” të cilit Françesku ia besoi vizatimet e marra nga fëmijët, për  qëllimin dhe vlerën e kësaj nisme. E intervistuam: 

Një dhuratë, që i bëhet Papës nga fëmijët e shndërrohet në dhuratë për të tjerët. Papa ia dorëzoi “Qytetërimit Katolik” vizatimet, të cilat ia dhuruan e vijojnë t’ia dhurojnë fëmijët e  botës.  E ne, me dëshirën e vetë Papës, i vumë në dispozicion të Bambin Gesù, për një nismë në favor të fëmijëve, që vijnë për t’u mjekuar nga të katër anët e që duhen mbështetur.

Çfarë vizatojnë e çfarë i shkruajnë fëmijët e botës Papës?

Janë mesazhe, që na zbulojnë botën. Fëmijët i paraqesin Papës vizionin e tyre mbi realitetin,  i shkruajnë, i dërgojnë mesazhe, i bëjnë pyetje e, natyrisht, nga e gjithë kjo, shikohet një botë e përthyer, e përçarë, e plagosur. Fëmijët janë tejet të ndjeshëm për këtë e i ofrojnë Papës vizionin e tyre mbi realitetin, në mënyrë edhe emocionale, përplot me gjallëri.

Ndonjë fjalë për vizatimet dhe shprehjet, që ju kanë mbetur në zemër?

 Çka më mbeti më shumë në zemër, është figura e emigrantëve, që fëmijët i paraqesin duke u mbytur në ujë; fëmijët, që e panë këtë tragjedi, fëmijët e Lesbos, posaçërisht. Në vizatimet e tyre sheh diellin që qan; gomonet, që qajnë; gjithë botën, që qan. Fëmijët kanë pikturuar shumë lot.  Kjo më preku pa masë. E mund të kujtoj edhe vizatimin e një fëmije  gjerman, që e paraqet Papën me botën mbi kokë, si të ishte Atlanti i ri, i vetmi njeri, që mund ta mbajë barrën e botës, një bote, të vizatuar si shtëpi, plot me dritare të hapura.

Janë vizatime, që fëmijët i dërgojnë me postë, personalisht, edhe si aeroplanë prej karte, që përpiqen t’i bëjnë të fluturojnë  e të bien mbi papamobil....

Po, pikërisht kështu. Ne i përmblodhëm të gjitha këto vizatime në një libër, me titull “I dashur Papa Françesku”, sepse në fund të fundit janë vizatime, që fëmijët ia dhuruan Papës, duke i bërë edhe pyetje, të cilave Françesku iu përgjigj. Janë mesazhe drejtuar Papës, tek i cili shikohet një autoritet moral, domethënë, shihet Burri i veshur me të bardha, që përfaqëson një përgjigje për dramat e botës.

Në përfundim, ç’kërkojnë fëmijët nga ne, të rriturit, me vizatimet e tyre?

Kërkojnë vëmendje, vëmendje të thellë. E na japin variantin e tyre të botës. Kjo më prek më shumë. Disa prej tyre paraqesin Papën, por gjithnjë në kontekst, të gëzuar ose të trishtuar... Kështu na lënë të kuptojmë si e shikojnë botën, e kjo për ne është përgjegjësi e madhe.

Për fëmijët që vijnë nga jashtë për t’u mjekuar

Me 600 shtretër, Bambino Gesù është poliklinika ose qendra më e madhe e kërkimit shkencor pediatrik në Evropë, pikë referimi për shëndetin e fëmijëve, ardhur nga Italia e nga vise të tjera. Numri i pacientëve nga jashtë shtohet çdo vit. Shpesh “Krishti Fëmijë” merr mbi vete të gjitha shpenzimet e mjekimit e të strehimit për fëmijët e edhe për familjet e  tyre. Këtë e dinë mirë shumë familje shqiptare, të cilat janë strehuar këtu, për të ndjekur fëmijët, që i sollën të sëmurë e i morën të shëruar. Në dy vitet e fundit numri i pacientëve humanitarë strehuar në spitalin e Selisë së Shenjtë, e ka kaluar njëqindin. Kanë ardhur nga më se 30 vende: që nga Shqipëria - në Bjellorusi; nga Kameruni - në Irak, me një kosto prej 2 milion eurosh. Për ta vijuar këtë angazhim mikpritjeje e mjekimi, spitali ka nevojë për ndihmën e të gjithëve.

Fushata për mbledhjen e fondeve

Ekspozita, që mund të vizitohet deri në gjysmën e shkurtit, i hap rrugën fushatës së sensibilizimit, për mbledhjen fondeve. Përmes faqes kushtuar në portalin www.ospedalebaminogesu.it do të jetë e mundur të bëhet një ofertë. Donatorët mund të shkarkojnë kopjen dixhitale të vizatimeve, dhuruar Papës nga fëmijët. Vizatimet origjinale, të çertifikuara nga Sekretaria e posaçme e Shenjtërisë së Tij,  do t’u dorëzohen  atyre, që do të tregojnë vëmendje ndaj fëmijëve të huaj, nevojtarë për mjekime, duke nisur nga shoqatat dhe shtëpitë-familje, të cilat prej kohe e ndihmojnë spitalin në mikpritjen e të sëmurëve e të familjeve të tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.