2017-12-19 16:49:00

Papa Françesku: Kisha do të ketë 19 të Lum të rinj


Papa Françesku priti në audiencë prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, duke e autorizuar të bëjë të njohura dekretet për 19 të Lum të rinj dhe për 8 Shërbëtorë të Zotit.

         Kështu, mund të nderohet tani edhe zyrtarisht, kardinali Stefan Vishinski, prelati, që luftoi komunizmin në Poloni. Kryeipeshkvi metropolit i Gnieznos dhe Varshavës, lindi në Zuzela të Polonisë më 3 gusht 1901 e vdiq në Varshavë në vitin 1981. Gjatë viteve të stalinizmit nuk iu lejua të ushtronte misionin e vet, ashtu si shumë prelatëve të tjerë të Evropës Lindore. Në tetor 1956, kur Polonia u rebelua kundër regjimit sovjetik (Revolta e Poznanit), kardinali gjeti mënyrën për të mos lejuar ndërhyrjen sovjetike në vend, duke mbajtur qëndrim të moderuar ndaj shtetit të atëhershëm të Gomulkës. Kjo u pa me sy të keq nga ambientet konservatore të Kuries, por pasi u sqarua veprimtaria e tij, në Konklavën e vitit 1978, emri i Vishinskit qarkullonte si i mundshëm për t’u zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit. Sipas disa kronistëve të kohës, ai vetë propozoi pikërisht Papën e ardhshëm, polakun Karol Vojtila, me të cilin kishte shumë miqësi. Funerali i kardinal Vishinskit u përjetua si ngjarje e madhe kombëtare në Poloni e Papa Gjon Pali II nuk mundi të merrte pjesë vetëm sepse ishte i shtruar në Poliklinikën Gemelli, në Romë, menjëherë pas atentatit të 13 majit, 15 ditë para vdekjes së kardinalit. Vishinski prehet në Bazilikën kryekatedrale të Shën Gjon Pagëzuesit në Varshavë.

         Së bashku me njohjen e virtyteve heroike të tij, Papa Françesku autorizoi edhe botimin e dekreteve, që kanë të bëjnë me mrekullinë, e cila i atribuohet ndërhyrjes së Shërbëtorit të Zotit, don Giovanni Battista Fouque, meshtar dioqezan, lindur në Marsiglia; me mrekullinë, që i atribuohet ndërhyrjes së atë Tiburzio Arnaiz Munoz, meshtar i Shoqërisë së Jezusit; me mrekullinë, ndodhur përmes ndërhyrjes së motër Maria Carmen Rendiles Martìnez, themeluese e Institut të Shërbëtoreve të Jezusit në Venezuelë; me martirizimin e Shërbëtorëve të Zotit, Teodoro Illera Del Olmo, meshtar i Kongregatës së Shën Pjetrit in Vincoli e 15 shokëve të tij, vrarë për shkak të fesë gjatë persekutimit fetar në Spanjë, në periudhën 1936-37.

         Dikasteri për Çështjet e Shenjtorëve do të bëjë të njohura edhe virtytet heroike të jezuitit, atë Alfonso Barzana; të meshtarit të Kongregatës së Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, atë Paolo Smolikovski; të meshtarit të Kongregatës së Shën Kryqit, atë Patizio Peyton; të themelueses së kuvendeve të motrave agostiniane Recollette, motër Maria Anna e Shën Jozefit; të themelueses së Kongregatës së Engjëlloreve të Zojës së Fatimës, Luisa Maria Langstroth Figuera De Sousa Vadre Santa Marta Mesquita e Melo; të murgeshës së Kongregatës së Bijave të Shën Anës, motër Ana e Shëlbuesit; si edhe të laikes italiane Maria Antonia Samà.








All the contents on this site are copyrighted ©.