2017-12-18 17:59:00

Përvujtëria e Zotit në Betlehemin e famullisë së Papës


Në shkretëtirë, në një shpellë. Jezusi lind ndërmjet shkëmbinjve e rërës, në Betlehemin e kishës së Shën Anës, në Vatikan. Skenografi, që synon të nxjerrë në pah përvujtërinë e Zotit, zgjedhur nga tre miq e zejtarë të Tolentinos – Mariano Piampiani, Sandro Brillarelli dhe Alberto Taborro – të cilët, që prej 10 vjetësh, së bashku me famullitarin (augustinianin Bruno Silvestrini) bëjnë Betlehemin në famullinë e Papës.

Autorët e Betlehemit, tre miq të dëmtuar nga tërmeti

         Foshnja Hyjnore tërheq menjëherë vëmendjen në qendër të shpellës sugjestive, ku dita ia lë vendin natës, e retë dalëngadalë davariten nga qielli plot diell. Nata shndritet nga kometa, që lajmëron lindjen e Shëlbuesit të botës, ndërsa retë, që përfaqësojnë problemet e jetës, shndërrohen në një ylber shumëngjyrësh. Është ndërhyrja e Zotit, që rison në kohë paktin e dashurisë e të besëlidhjes me njerëzit. Përreth shpellës, pamje të shkreta, shumë personazhe, por asnjë shtëpi, asnjë banesë, vetëm një tendë. Është tenda e Zotit, që i mishëruar në varfërinë më të thellë, vjen të banojë në botë. Mariani, Sandri dhe Alberti, të dëmtuar nga tërmeti i Markeve, duan të simbolizojnë qindra njerëzit, që i humbën shtëpitë në qendër të Italisë, vitin e kaluar e që, në pritje të normalitetit, jetojnë në banesa të përkohshme, siç është tenda.

Jezusi Fëmijë, buka e vërtetë e jetës

         Në Betlehemin e famullisë së Shën Anës, tenda është Zoti pranë njerëzve, në vështirësitë e jetës së përditshme; Jezusi, Zoti me ne, është mbështetje e përhershme, që nuk na largon nga problemet, por na jep forcën për t’i përballuar. Tenda e Zotit ndërmjet njerëzve na kujton edhe se kur e pranojmë dashurinë e dhuruar prej Hyjit dhe e vëmë atë në veprim, Zoti kthehet të banojë vërtet në mesin e njerëzimit, duke e ngritur shtëpinë në botë. Për këtë arsye, barinjtë dhe dijetarët, që e popullojnë skenën, ecin të gjithë drejt grazhdit të Krishtit, tërhequr prej tij si prej pikës së vetme të referimit në jetë. E në shkretëtirë, njerëzit nuk janë para asgjësë: një liqen është shenja e shpresës, një burim mbikqyret nga një engjëll e barinjve u vjen Lajmi i Mirë. Hyji i zbritur nga qielli është aty: është Jezusi Fëmijë në grazhd. Pranë Tij një shportë me bukë, për të na kujtuar kush është buka e vërtetë e jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.