2017-12-15 17:32:00

Të krishterët e Egjiptit: frikë për Krishtlindje e shpresë pas vizitës papnore


Nuk e pranojmë vendimin për ta zhvendosur ambasadën e SHBA-ve në Jeruzalem e, në shenjë solidariteti me të gjithë egjiptianët, nuk do të takohemi me zv.presidentin Mike Pence. Deklarata e Patriarkut kopto-ortodoks, Tawadros II, u theksua me forcë dje, në një takim me një delegacion gazetarësh italianë, që ndjekin një mision të Veprës Romake të Shtegtimeve. Me të njëjtin ton edhe deklaratat e Imamit të Madh të Al Azharit, Mohammed al Tayyeb, i cili pohoi: “Vendimi amerikan është realitet. E gjithë bota po përpiqet ta ndryshojë. Na dhemb shpirti për pasojat e këtij vendimi dhe e dënojmë”.

         Të dy krerët fetarë, në dy takimet e ndryshme me gazetarët, kujtuan vizitën e Papës Françesku në Egjipt, prillin e kaluar, duke nënvizuar frytet e paqes e të vëllazërimit, që la. Duke iu referuar edhe udhëtimit të fundit të Papës në Mianmar e Bangladesh, Imami i Madh i Al Azharit shprehu mirënjohjen për solidaritetin e shprehur nga Ati i Shenjtë ndaj pakicës myslimane Rohingya, duke pohuar: “kemi derdhur lot së bashku për ç’po ndodh”.

         Ndërkaq, qeveria egjiptiane po mobilizon forca të mëdha të sigurisë nga frika e atentateve gjatë festave të Krishtlindjes, kremtuar nga të krishterët e vendit. Të Dielën e Larit, në prill, dy atentate me dinamit, goditën dy kisha në Tanta, në veri të Kajros dhe në Aleksandri, para katedrales së Shën Markut.








All the contents on this site are copyrighted ©.