2017-12-14 12:59:00

Papa, ambasadorëve: larmia e kulturave dhe e feve nuk sjell konflikte


Papa Françesku shqetësohet për “kërcënimet kundër paqes dhe pajtimit, që rrjedhin nga ideologjitë fundamentaliste të dhunshme e nga konfliktet rajonale, që shpesh duken nën maskën e interesave dhe vlerave të kundërta”. Kështu u tha Ati i Shenjtë ambasadorëve të rinj jo rezidentë në Vatikan, të cilët i priti sot paradite për paraqitjen e Letrave kredenciale.

Larmia e familjes njerëzore nuk është në zanafillë të konflikteve

Për Papën ka rëndësi të kujtohet se “larmia e familjes njerëzore, në vetvete, nuk është shkaktare e këtyre sfidave kundër bashkëjetesës paqësore. Vërtet, forcat centrifuge, që duan t’i ndajnë popujt nuk duhen kërkuar në ndryshimet ndërmjet tyre, por në dështimin e udhës së dialogut e të mirëkuptimit, si mjeti më i frytshëm për t’iu përgjigjur sfidave”.

“Bashkësia ndërkombëtare – u tha më tej Papa ambasadorëve – përballon një sërë kërcënimesh të ndërlikuara kundër qëndrueshmërisë ambientale dhe ekologjisë shoqërore e njerëzore të krejt planetit”. “Prania juaj këtu është shembull për rolin kyç, që luan dialogu, në mënyrë që larmia të jetohet me të vërtetë e t’i sjellë dobi shoqërisë sonë gjithnjë e më të globalizuar”.

Zinxhiri i dialogut: komunikim, bashkëpunim, solidaritet

Ambasadorët, që i paraqitën sot Papës Letrat kredenciale, janë diplomatë të Jemenit, Zelandës së Re, Suacilendit, Azerbajxhanit, Çadit, Lihtenshtajnit dhe Indisë. Duke i ftuar për bashkëpunim, Ati i Shenjtë u tregoi edhe rrugën.

“Komunikimi plot respekt – u tha – sjell bashkëpunimin, sidomos në favorizimin e pajtimit, aty ku është i nevojshëm. Nga ana e tij, bashkëpunimi i vjen në ndihmë solidaritetit, që është kusht për drejtësinë dhe për respektin e duhur ndaj dinjitetit, të drejtave dhe aspiratave të të gjithëve. Impenjimi për dialogun dhe bashkëpunimin duhet të jetë shenja dalluese e çdo institucioni kombëtar dhe lokal, pasi të gjithë e kanë për detyrë të kërkojnë të mirën e përbashkët”.

Arti i diplomacisë u duhet transmetuar brezave të rinj

“Dialogu, pajtimi dhe bashkëpunimi – e përfundoi fjalën e tij Papa Françesku – nuk mund të konsiderohen si të dhënë një herë e përgjithmonë. Arti delikat i diplomacisë dhe puna e mundimshme për formimin e një kombi duhet të mësohen gjithnjë e rishtas nga çdo brez i ri. Ne kemi përgjegjësinë kolektive për t’i edukuar të rinjtë me këto parime të rëndësishme, që e mbajnë rendin shoqëror. Transmetimi i kësaj trashëgimie të çmuar bijve dhe nipërve, jo vetëm do të sigurojë të ardhmen në paqe e begati, por do të plotësojë edhe kërkesat e drejtësisë ndërmjet brezave e ato të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, për të cilin ka të drejtë çdo burrë, grua e fëmijë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.