2017-12-14 13:16:00

Françesku: dashuria e Zotit, në qendër të homelisë në Shën Martë


Dashuria e Zotit ishte në qendër të vëmendjes në homelinë e sotme të Meshës së mëngjesit, kremtuar nga Papa në Shtëpinë e Shën Martës. Tema frymëzohej prej Leximit të parë, shkëputur nga Libri i Izaisë profet dhe nga Psalmi 144, në të cilin lexojmë: “ ... dashuria e tij shtrihet mbi të gjitha krijesat”.

Në Librin e Izaisë profet takojmë një Zot, që flet me ne, si flet ati me të birin, duke e holluar zërin, për ta bërë sa më të ngjashëm me atë të vocrrakut të tij. E, para së gjithash, e siguron, duke e ledhatuar ëmbël: “Mos kij frikë! Të ndihmoj unë!”:

“Duket sikur Zoti ynë dëshiron të na këndojë nina-nana. Sepse Zoti ynë mund ta bëjë edhe këtë. Kështu është dashuria e Tij: dashuri ati e mëme. Shumë herë ka thënë: ‘Kur një nënë ta harrojë të birin, atëherë edhe unë do të të harroj’. Zoti na mban në përmbrendcat e Tij. Është Zot, i cili me këtë dialog, bëhet i vogël, që ne ta kuptojmë, që të kemi besim në Të e të mund t’i drejtohemi me guximin e Palit, i cili thotë: ‘Atë, Abbà’.  Baba... Kjo është dashuria e Zotit”.

I madhi, që bëhet i vogël e i vogli, që është i madh

Është e vërtetë - kujtoi Françesku - se Zoti nganjëherë edhe na e heq një dru, por, i madh siç është, na afrohet rishtas e na shpëton. E ky është mister, është një nga misteret më të bukura.

 Zoti është i madh, por bëhet i vogël e, në vogëlsinë e tij, nuk pushon së qeni i madh. E pikërisht në këtë dialektikë i madhi është i vogël. Krishtlindja na ndihmon ta kuptojmë  këtë: në atë grazhd të mjerë…Zoti i vogël. Më vjen në mendje një frazë e Shën Tomës, nga pjesa e parë e “Somma Teologica” (Përmbledhjes së Teologjisë). Duke dashur të shpjegojë “Ç’do të thotë hyjnore?”. E “Cila është gjëja më hyjnore?”, shkruan: “Non coerceri a maximo  contineri tamen a minimo divinum est",  domethënë, mos u tremb nga gjërat e mëdha, por vërja mendjen edhe të voglave. Kjo është hyjnorja: të dyja së bashku.

Po ku dëshmohet posaçërisht dhembshuria e Zotit?

Zoti jo vetëm që na ndihmon, por na premton edhe gëzim, na premton të korra të begata, për të na nxitur të ecim përpara. Zoti - për Françeskun - nuk është vetëm atë, është edhe baba!

“A jam i aftë të flas me Zotin kështu, apo kam frikë? Secili t’i përgjigjet vetes. Por ndokush edhe mund të thotë, mund të pyesë: ‘Po ku është ky vendi teologjik i dashurisë së Zotit?’. - ‘Plaga’. Plagët e mia, plagët tua, kur takohet plaga ime me plagën e Tij. Në plagët e tyre u shëruam”.

 E Papa rikujtoi shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë: aty dikush u përkul mbi njeriun e dërmuar nga cubat dhe e ndihmoi, duke ia pastruar plagët e duke paguar për shërimin e  tij. Ja pra, “vendi teologjik i dhembshurisë së Zotit: plagët tona”. E Papa e përfundoi homelinë duke i nxitur të gjithë të  mendojnë, gjatë ditës, për ftesën e Zotit: “Hë, hë pra, m’i trego plagët e tua. Tregomi, se dua t’i shëroj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.