2017-12-12 18:00:00

Papa Françesku: Zoja e Guadalupes na mëson se askush nuk është i huaj në Kishë


Papa Françesku kremtoi sot, në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën për Amerikën Latine, me rastin e festës liturgjike të Zojës së Guadalupes, Pajtores qiellore të Amerikës jugore. Kremtimi Eukaristik u parapri nga Rruzarja Shenjte ‘guadalupane’ e nga lutja e kohës liturgjike të Ardhjes, që përgatit festën e Krishtlindjes.

         Në një paralelizëm ndërmjet shën Elizabetës dhe Huan Diegosit, indiosit, të cilit iu duk Zoja e Bekuar, Papa Françesku, në homelinë e tij, nënvizoi se askush nuk është i huaj në Kishë. Shën Elizabeta, komentoi Ati i Shenjtë, konsiderohej beronjë, që në atë kohë do të thoshte: “e dënuar nga Zoti për ndonjë mëkat të sajin apo të të shoqit”. Mendoni si ndihej ajo para familjarëve e para të njohurve, nënvizoi Papa.

         Në të njëjtën mënyrë, edhe Huan Diego, indiosi i vogël,të cilit iu duk Zoja e Guadalupes, ndjehej i padenjë. “Unë nuk vlej asgjë” – i pati thënë Zojës. Edhe ai, në mendësinë e atëhershme ishte ndër më të pakonsideruarit e shoqërisë. Sa herë, denoncoi Ati i Shenjtë, “bashkësitë indigjene dhe afro-amerikane nuk trajtohen me dinjitet e barazi; ose shumë gra përjashtohem për arsye të seksit, të racës, ose të gjendjes shoqëroro-ekonomike; të rinjtë, që marrin arsim me cilësi të ulët e nuk u jepet mundësia për të vijuar studimet, duke penguar hyrjen e tyre në tregun e punës e mundësinë për të krijuar familje; shumë të varfër, të papunë, emigrantë, të shpërngulur, fshatarë pa tokë, që përpiqen të mbijetojnë si mundin; fëmijë që shfrytëzohen seksualisht, shpesh nga turizmi seksual”.

Të gjithë këta të mënjanuar, të fundëm të shoqërisë, zgjidhen nga Zoti, vërejti Papa. Shën Elizabeta mbajti në gji shën Gjon Pagëzuesin, që lajmëroi ardhjen e Mesisë. Gjithashtu, ishte e para që e pa Zojën shtatzënë me Shëlbuesin e njerëzimit. Po kështu, edhe Huan Diego ishte i vetmi në mantelin e të cilit u duk mrekullisht fugurja e Zojës. “Duket se akoma e akoma – tha Papa – Zoti, me këmbëngulje, na tregon se guri që ndërtuesin e hodhën tej, u bë guri i këndit”. Askush, bëri thirrje Papa, nuk duhet të ndjehet beronjë apo i padenjë në gjirin e Popullit të Zotit. Zoja na mëson se Kisha ka fytyrën e të gjithë atyre, që me besim në zemër e me shpresë, mund ta thërrasin Zotin Atë.








All the contents on this site are copyrighted ©.