2017-12-11 13:23:00

Thirrje e Papës për klimën para mbledhjes së Parisit


Dhjetra krerë botërorë priten nesër në Paris, me rastin e “One Planet Summit” (Mbledhja “Një Planet”), nisma jo formale e presidentit francez Emmanuel Macron për t’u dhënë hov të ri përpjekjeve financiare në favor të klimës. Dy vjet pas Konferencës Ndërkombëtare të Parisit (Cop21), rreth 50 krerë shtetesh e qeverish do të marrin një barkë përgjatë lumit Sena, për të shkuar nga Elizeu në Île Seguin, ishulli i gjatë e i ngushtë në perëndim të kryeqytetit, ku do të mbahet takimi. Presidenti Macron pati lajmëruar për këtë në korrik, gjatë G20-ës së Hamburgut. Takimi kryesohet edhe nga OKB-ja e nga Banka Botërore.

         Pikërisht para këtij takimi të rëndësishëm, e ngriti zërin dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, edhe Papa Françesku.

“Uroj nxehtësisht – theksoi Ati i Shenjtë - që ky takim i rangut të lartë, ashtu si edhe nismat e tjera  që shkojnë në të njëjtin drejtim, të favorizojnë vetëdijësimin për marrjen e vendimeve me të vërtetë efikase, që t’i kundërvihen ndryshimeve klimaterike e, njëkohësisht, të luftojnë varfërinë e të promovojnë zhvillimin njerëzor”.

Ndër 4 mijë pjesëmarrësit e Summit-it në Île Seguin, përveç krerëve botërore, edhe kryetarë bashkish, organizata jo qeveritare, fondacione bamirëse si ajo e Bill Gates, si edhe yje të kinemasë si Leonardo Di Caprio, me objektivin për të kontribuar në kërkimet shkencore, që ndihmojnë arritjen e parametrave për klimën, të vendosura nga Cop21. “Duam të tregojmë se zgjidhjet ekzistojnë e mund të shumëfishohen si në fushën lokale, ashtu edhe në atë ndërkombëtare”, shpjegojnë nga Parisi. Në tryeza të ndryshme të rrumbullakëta do të paraqiten projekte konkrete në sektorët e energjisë së rinovueshme, të transportit, të energjisë dhe të bujqësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.