2017-12-11 14:38:00

Mbledhje e re e Papës me Këshillin e kardinajve


Filloi sot paradite, në praninë e Papës Françesku, mbledhja e 22-të e Këshillit të Kardinajve. Organizmi i themeluar nga vetë Ati i Shenjtë më 28 shtator 2013, ka për detyrë ta ndihmojë Papën në udhëheqjen e Kishës universale e të studiojë një projekt për rishikimin e Kushtetutës Apostolike “Pastor bonus” për Kurien Romake. Punimet do të vijojnë deri të mërkurën, 13 dhjetor.

Reforma e Kuries: studiohet propozimi përfundimtar

         Mbledhja e fundit, shtatorin e kaluar, iu kushtua studimit të propozimeve për reformën e Kuries, që tashmë, i janë dorëzuar Atit të Shenjtë. Ndër temat e diskutuara, roli i Kuries si mjet ungjillëzimi, në shërbim jo vetëm të Papës, por edhe të Kishave lokale; decentralizmi; roli i nunciaturave apostolike dhe përzgjedhja e personelit, që të jetë më pak klerikal e më shumë ndërkombëtar, duke shtuar numrin e të rinjve e grave.

Zbatimi i reformës i takon Papës

         Ipeshkvi i Albanos, imzot Marcello Semeraro, sekretar i Këshillit të Kardinajve, në një intervistë për mbledhjen e shtatorit, pati thënë: “Përsa i përket reformës së Kuries Romake, rruga është plotësuar për tre të katërtat: po plotësohet edhe niveli i propozimeve për Papën. Ati i Shenjtë do të ketë në dispozicion propozimet për të gjitha dikasteret e do t’i takojë atij të vendosë si e kur duhen zbatuar. Në këtë çast, Françesku po ndjek planin e zbatimit gradual”.








All the contents on this site are copyrighted ©.