E Diela II e Ardhjes: Gjon Pagёzuesi m’i hapë sytë për të parë, Mesinё. Marku ungjilltar (1,1-8) na paraqet figurёn dhe misionin e Gjon Pagёzuesit, i cili hyn menjёherё nё skenё me pagёzimin e tij, qё ka si qёllim konvertimin e atyre qё i rrёfejnё mёkatet e veta. E kёshtu tё vihen udhës sё drejtësisë e tё dashurisë...
E Diela II e Kohës së Ardhjes:
Më more për dore
në shkretëtirë, o Zot,
për të dëgjuar fjalën e Gjonit.
Nuk ish shëtitje
e as shtegtim dëfryes.
Jo, nuk ishte!
Se Gjoni e nisi britmën,
e i shoi të gjitha zërat
që u prijnë shtegtimeve;
të gjitha zërat
që botën e shurdhojnë:
britma të çuditshme,
gjithnjë më shpesh pa kuptim!
E foli fjalë të ashpra,
krijoi figura
që s’të lënë asnjë shteg hapur:
kujtoi sopatën, që pa pikë mëshire,
e rrëzon në pyll
drurin pa fryte,
për të bërë me të një zjarr
që ndrit e ngroh.
Krejt shtati m’u rrënqeth,
sopata m’u duk
si t’ çikte lëkurën e fortë,
të pa depërtueshme
të shpirtit tim:
dru me gjethe të thata,
përplot me fjalë,
me dukje plot,
por krejt pa fryt.
Dënim, pa kurrfarë shpëtimi?
Ëndërr e keqe?
Makth kalimtar?
Jo, ky Profet,
i kapërthyer në lëkura
nuk deshi të më tmerrojë.
Deshi dy sytë t’m’i hapë
për të parë, Atë
që jetën mund të ma ndërrojë.
Të pranoj?
A të mos e pranoj?
Të besoj?
A të mos besoj?
Po ai sopatën vringëllon
e duhet të zgjedh…
Duhet të ndryshoj,
duhet ta nis
më në fund kthesën e madhe:
ta pranoj mëkatin
që fshihet në shpirtin tim,
e ftesën për pastrim!
T’ vihem për udhë,
për udhën e drejtësisë
për udhë të ndershmërisë,
për udhë të dashurisë...
Prandaj Gjoni sopatën vringëllon,
që unë të mos ngulem
në pyllin e dendur të botës
si dru i thatë, pa fryte!
Të paktën të digjem zjarr
e ta ngroh botën!
All the contents on this site are copyrighted ©. |