2017-12-08 13:36:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Maria, gjithnjë e re; është mëkati që plak


Maria, gjithnjë në lule të rinisë, “e paplakur nga mëkati” e me një “fshehtësi”: Fjalën e Zotit. Ky, portreti i Virgjërës Mari, pikturuar sot nga Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e Të Zënit të  Saj  pa mëkat.

Në një botë - vërejti Ati i Shenjtë - në të cilën gjithçka është e  përlyer nga e keqja e ku secili nga ne, duke shikuar përbrenda vetes, gjen skuta të errëta, kundrojmë bukurinë e Marisë. Ungjilli i sotëm i Lukës rrëfen episodin e Lajmërimit të Marisë, me përshëndetjen e Engjëllit, i cili e quan “hirplote”. E ajo është vërtet përplot me praninë e Zotit e, me që e banuar krejtësisht nga Ai, në Marinë nuk ka vend për mëkat – kujtoi Françesku. - Gjë e jashtëzakonshme, sepse edhe shenjtorët më të mëdhenj ishin mëkatarë. E të gjitha realitetet, edhe më të bukurat, janë të  ndotura nga e keqja: të gjitha, përveç Marisë. Ajo është e vetmja oazë, gjithnjë në blerim, e njerëzimit; e vetmja e papërlyer, e krijuar pa asnjë njollë. Sa herë e pranojmë si Hirplote, i bëjmë komplimentin më të madh, po atë, që ia bëri vetë Zoti:

“Kompliment i bukur, që mund t’i bëhet ndonjë zonje, për t’i thënë, me lezet, se nuk e tregon fare moshën. Kur  e quajmë Marinë hirplote, në një farë mënyre ia themi edhe këtë, por në shenjë nderimi shumë më të lartë. Pranojmë, kështu, se është gjithnjë në lule të moshës, sepse mëkati nuk ka forcë ta plakë. Vetëm një gjë të bën me të vërtetë të vjetrohesh, të plakesh në shpirt: nuk është mosha, po mëkati. Mëkati na bën pleq, sepse sklerotizon zemrën. E mbyll, e venit, e than”.

Kisha - kujtoi Françesku - sot e nderon Marinë, duke e quajtur “bukuriplote”, “Tota pulchra”. Ashtu si rinia e saj nuk ka të bëjë me moshën, as bukuria nuk ka të bëjë me pamjen. Bukuria e saj nuk është vetëm e jashtme, është shpirtërore. Maria nuk i kushtonte kurrfarë vëmendjeje dukjes. Jetonte përvujtërisht në Nazaret:

“Edhe kur Engjëlli e vizitoi, askush nuk e mori vesh; atë ditë aty nuk ishte asnjë reporter”.

Zoja nuk jetoi në kamje. Përkundrazi, ishte gjithnjë plot shqetësim e frikë: u trazua shumë kur mori kumtin e madh - na kujton Ungjilli - e, kur engjëlli u largua prej saj, problemet u shtuan edhe më. E megjithatë, Ajo jetoi një jetë të bukur, sepse - sipas Shkrimeve -  e dëgjonte gjithnjë Zotin e bisedonte me Të:

“Fjala e Zotit ishte sekreti i saj: gjithnjë, pranë zemrës së Zojës, u mishërua, pastaj, në kraharorin e saj. Duke mbetur gjithnjë me Zotin, duke dialoguar me Të në çdo çast, Maria e bëri të bukur jetën e saj. Jo dukja, jo çka kalon, por zemra, që mbështetet në Zotin, e bën jetën të bukur. E kundrojmë sot, me gëzim, Hirploten. I lutemi të na ndihmojë të mbetemi gjithnjë të rinj, duke i thënë 'jo' mëkatit, e ta jetojmë jetën bukur, duke i thënë 'po' Zotit".

Pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku përshëndeti shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit rreth Shpellës së Betlehemit e Bredhit të Krishtlindjes, përuruar dje nga Veprimi Katolik Italian.

Së fundi, kujtoi edhe lutjen, që do t’ia drejtojë Marisë sot pasdite. Së pari, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, duke u gjunjëzuar para Zojës Salus Populi Romani, më pas, në Bazilikën Sant’Andrea delle Frate, para Zojës së Medaljes së Mrekullueshme. Takimi kryesor - kujtoi - ai tradicional, në Sheshin e Spanjës:

“Sot pasdite do të shkoj në Sheshin e Spanjës për të kremtuar, edhe një herë, aktin tradicional të nderimit e të lutjes tek këmbët e Monumentit të Zojës së Papërlyer. Ju kërkoj të bashkoheni shpirtërisht me mua në këtë gjest, që shpreh devocionin bijnor ndaj Nënës sonë qiellore. Të gjithë, me Shpirtin Shenjt, para Zojës!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.