2017-12-07 13:22:00

Papa: falënderim për bredhin e Betlehemin, shenjë e afërsisë së Zotit me njerëzimin


“Çdo vit, Betlehemi dhe bredhi i Krishtlindjes na flasim me gjuhën e tyre simbolike”, janë “shenja të dhembshurisë së Atit Qiellor, të pjesëmarrjes dhe të afërsisë së Tij me njerëzimin”. Në ditën e përurimit të Betlehemit napoletan në stilin e ‘700-ës dhe të bredhit të kuq polak, 28 metra të lartë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku priti në audiencë dy delegacione të mëdha të donatorëve: atë italian e atë polak, rreth 4000 vetë.

         “‘Bredhi, që lartohet drejt qiellit – komentoi Papa gjatë audiencës – na nxit të priremi drejt dhuratave më të larta’ (shih 1 Cor 12,31), të lartohemi mbi mjegullnajat, që errësojnë, për të provuar sa bukur e sa gëzim është kur zhytemi në dritën e Krishtit. Në thjeshtësinë e Betlehemit ne takojmë e kundrojmë ëmbëlsinë e Zotit, që duket në atë të Krishtit Fëmijë”.

         Betlehemi, kujtoi Ati i Shenjtë, këtë vit frymëzohet nga veprat e mëshirës. “Është vend sugjestiv, ku kundrojmë Jezusin, i cili, duke marrë mbi vete mjerimin e njeriut, na fton të bëjmë edhe ne ashtu, përmes veprave të mëshirës”. Ndërsa bredhi, nënvizoi Papa, këtë vit, është shenjë e fesë së popullit polak, i cili, përmes kësaj dhurate, “dëshiron t’i shprehë besnikërinë e vet Selisë së Pjetrit”.

         Ndërmjet 4000 të pranishmëve në Sallën Pali VI, ishin edhe fëmijët, që janë marrë me zbukurimet e bredhit, me “sferat e dëshirave” prej qeramike, punuar me aq dashuri nga pacientët e reparteve italiane të onkologjisë, së bashku me fëmijët e qendrave të dëmtuara nga tërmeti.

         Për ta, falenderimi i Papës Françesku qe i veçantë, sepse, tha Ati i Shenjtë, “në punimet tuaja keni vënë ëndërrat dhe dëshirat, për t’i lartuar drejt qiellit e për t’ia treguar Jezusit, që bëhet fëmijë si ju, për t’iu thënë se ju do fort. Faleminderit për dëshminë tuaj, e cila i ka bërë të bukura këto shenja Krishtlindjeje, që do të admirohen nga shtegtarët dhe vizitorët e gjithë botës”.

         Në orën 16.30, bredhi e Betlehemi në Sheshin e Shën Pjetrit do të zbulohen e dritat do të ndizen, prandaj, ashtu siç tha Papa, ëndërrat e fëmijëve, që sot, janë të dukshme e shndrisin errësirën.

         “Krishtlindja – i bashkohemi edhe ne urimit të Papës, para se të përshëndeste e të bekonte të pranishmit – qoftë rasti për t’u treguar më të vëmendshëm ndaj nevojave të të varfërve e të atyre, që, si Jezusi, nuk i mirëpret kush. Ju, që jeni këtu të pranishëm, të dashurve tuaj e atyre, që përfaqësoni, u bëj urimet më të mira për Krishtlindje. Ju siguroj se lutem që Zoti t’i pranojë e t’i plotësojë dëshirat tuaja. Edhe ju lutuni për mua e për shërbimin tim në Kishë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.