2017-12-05 13:38:00

Leksioni i Papa Françeskut, Ungjilli e diplomacia


Në intervistën gjatë fluturimit, Papa Françesku shpjegoi si e pse kërkoi të komunikojë me gjeneralët e me autoritetet politike të Mianmarit, duke folur për Rohingya, por pa e shqiptuar këtë fjalë në fjalimin publik.

Dikush e quajti këtë “realpolitik”, dikush tjetër pohoi se fama e Papës si mbrojtës i të drejtave njerëzore ishte errësuar paksa, e akoma, pati edhe nga ata që e llogaritën çdo rrokje të dalë nga goja e Françeskut, duke përfunduar se Bergolio e teproi me urtinë diplomatike. Sistemi mediatik ndërkombëtar, i interesuar me të drejtë për situatën e refugjatëve të diskriminuar e të persekutuar në shtetin birman të Rakhine, i kishte drejtuar prej ditësh reflektorët mbi Françeskun, në pritje të fjalëve që do të thoshte për këtë etni myslimane. E sidomos, pyeste nëse do ta përmendte apo jo fjalën “Rohingya”. Vëmendje kjo, që e merrte shtytjen edhe nga përsëritja e qëndrimeve publike të Kishës birmane e cila, përmes kardinalit të Jangonit, i kishte kërkuar Françeskut të mos e kujtonte këtë fjalë gjatë fjalimeve të tij. 

Kështu, duke harruar se në Mianmar ekzistojnë me dhjetra etni të tjera të diskriminuara, burra e gra, të detyruar të paguajnë një haraç tepër të lartë për synimet indipendentiste të grupeve e grimcave të armatosura, i gjithë shtegtimi i Papës - në media-sistemin ndërkombëtar - u rrotullua rreth kësaj pyetjeje: “Do ta thotë, a s’do ta thotë këtë fjalë?”.

Në fjalimin e së martes, 28 nëntor, përballë Këshilltares së Shtetit Aung San Suu Kyi dhe autoriteteve politike birmane, Bergoglio nuk e kujtoi fjalën Rohingya, por foli qartë për ta, ose më sakt, edhe për ta, duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe të qytetarisë për secilin grup etnik, pa përjashtuar askënd. Në orët që pasuan e edhe në ditën mbas, Papa u kritikua pse nuk guxoi të thoshte diçka më shumë. Rast  “realpolik”  e quajtën. Diplomaci, që fiton mbi padinë e shkeljes së të drejtave më fillestare të njeriut- vërejti ndokush.

Tri ditë më pas, në Bangladesh, Françesku jo vetëm që e quajti etninë e persekutuar me emrin e saj, por bëri shumë më tepër. Foli me gjeste, me dhembshuri, me dhimbje, që i dallohej qartë në fytyrë. Takoi 16 Rohingya, burra, gra e fëmijë, të trembur, të çorientuar, që shkuan tek Papa e i treguan historitë e tyre rrënqethëse, të tmerrshme. Ishte një mesazh i fuqishëm, që do ta mbyllte një herë e mirë polemikën mediatike lidhur me përdorimin a mospërdorimin e një fjale!

Por risia tjetër u pa të shtunën në mbrëmje kur, gjatë fluturimit të kthimit nga Daka, Françesku u takua me gazetarët, të cilëve u foli gjerësisht jo vetëm për emocionet që provoi duke i takuar këta njerëz, por edhe arsyet që e shtynë të veprojë ashtu, si veproi përballë autoriteteve birmane. Përgjigjja e tij, edhe pse i ra për shkurt, ishte leksion i vërtetë, jo shumë - e jo vetëm diplomacie, por sidomos, komunikimi e dëshnmie ungjillore. Për mua, vërejti Françesku, “gjëja më e rëndësishme është që mesazhi të arrijë”.

“Mua më intereson që ky mesazh të arrijë. Prandaj e pashë se po ta kisha thënë këtë fjalë gjatë fjalimit zyrtar, do ta kisha përplasur portën në fytyrë. Në vend të saj, përshkrova situatat - kujtova të drejtat - pa përjashtuar askënd, qytetarinë - për të shkuar, pastaj, më tej, në bisedimet private. Unë mbeta shumë, shumë i kënaqur nga bisedimet që pata, sepse është e vërtetë që nuk përplasa ndonjë portë në fytyrë, publikisht, as nuk bëra ndonjë padi, por pata kënaqësinë të dialogoj, ta lë tjetrin të flasë, të thotë, kështu, se mesazhi im kishte arritur ku duhej”. E kjo, deri tek takimi  e fjalët e së premtes. Rëndësi ka që mesazhi të arrijë; disa padi, në media, të thëna nganjëherë me agresivitet, e mbyllin dilaogun, mbyllin portën e mesazhi nuk arrin atje ku duhej e si duhej”.

Ç’do të thotë kjo? Do të thotë ndoshta, se padia për shkeljen e të drejtave të njeriut nuk duhet thënë, se duhet heshtur, për të mos ia prishur ndokujt rehatinë e të jetuarit? Ose se vertetësia e fakteve duhet të vishet me fjalë diplomatikisht të matura e tejet të akullta, që të mos i shqetësojnë pushtetarët? Asnjë nga këto marifete! Çka kishte për zemër Françesku, që nuk kish harruar të bënte thirrje në favor të Rohingyia, duke i quajtur me emër, ishte të jepte ndihmesë pozitive për zgjidhjen e krizës,  duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos e kthente kokën nga ana tjetër: gjë që ndodh shpesh, siç e tregojnë disa kriza, disa luftëra e disa emergjenca humanitare të harruara nga mediat e të shpërfilluara, ndoshta sepse do të na detyronin t’i rishikonim vlerësimet tona e të rimendonim kush janë të mirët e kush të këqinjtë e çastit.

Françesku, duke pasur ndër mend situatën konkrete të refugjatëve e duke u përpjekur t’i ndihmonte, nuk veproi sipas kriterit  të politically correct,  që mendonin mediat. Zgjodhi “të mos ua përplaste portën në fytyrë”  bashkëbiseduesve të tij politikë në diskutimin publik, për të qenë, kështu, më i lirë të shprehej në takimet sy për sy. Në takimin me gjeneralin Hlaing - shpjegoi - “Nuk bëra pazar për të vërtetën. I fola të gjitha fjalët, që dëshiroja t’i flisja, që mesazhi të arrinte e, kur pashë se mesazhi po pranohej, guxova të thosha gjithçka desha”.

Dilema nuk është e re për Papët, që nuk mbrojnë interesa politike e, që prej një shekulli e gjysëm, nuk kanë një shtet të mirëfilltë. Nuk është rastësi që pikërisht humbja e pushtetit tokësor, siç pati vërejtur aso kohe  kardinali Giovanni Battista Montini në një fjalim të famshëm mbajtur në Campidoglio, në prag të hapjes së Koncilit II të Vatikanit, qe providencial, sepse u krijoi papëve mundësitë të flisnin krejt lirisht. Por do të ishte gabim të lexohej çka ndodhi këto ditë në Mianmar e Bangladesh me lenten e dialektikës ndërmjet profecisë e diplomacisë, ndërmjet padisë e realpolitik.

Çka ndodhi këto ditë në Lindjen e Largët, duhet lexuar edhe një herë,  në dritën e mundësisë konkrete për të shpëtuar jetë njerëzore e për t’ua përmirësuar jetën Rohingya, duke shmangur rrezikun që të vijojnë vrasjet e sulmet e armatosura. Françesku vendosi të vepronte, si veproi, me qellim që mesazhi të arrinte. E, në takimin me refugjatët, me pjesëmarrjen e dukshme në dhimbjen e tyre, me afërsinë personale, me kërkimin e faljes për indiferencën e botës, i bëri të gjithë ta shikonin qartë ç’do të thotë të ungjillëzosh!








All the contents on this site are copyrighted ©.