2017-12-04 12:09:00

Vatikan: lotaria V për bamirësinë e Papës


 “Edhe sivjet - njofton Guvernatorati i Qytetit të Vatikanit - ripropozohet nisma e solidaritetit: Lotaria V për veprat e bamirësisë së Atit të Shenjtë. Nisma përkon me kremtimet e Krishlindjes, kohë posaçërisht e përshtatshme për një gjest solidariteti e ndarjeje të përbashkët.

“Papa, si çdo vit, i vuri personalisht në dispozicion të gjitha çmimet. Shitja e biletave të lotarisë nisi më 1 dhjetor e do të përfundojë më 2 shkurtin e ardhshëm, me  përzgjedhjen e biletave fituese, në praninë e një komisioni të posaçëm, që do të garantojë korrektësinë” - shpjegon nota.

Biletat kushtojnë 10 euro e mund të blihen në Vatikan, pranë farmacisë, postave, shërbimit telefonik, dyqanit ushqimor, magazinës “Stazione”, pikave të shitjes të zyrës filatelike e numizmatike dhe “Bookshop” të Muzeve të Vatikanit. Risia e këtij viti është se bileta mund të blihet edhe pranë tremes së Sallës Pali VI, mundësi e krijuar për ata, që do të ndjekin koncertin e bamirësisë me rastin e Krishtlindjes, më 16 dhjetor.

“Në këtë mënyrë - shpjegon Guvernatorati - do të mund të bëhet një gjest i dyfishtë bamirësie”. Edhe sivjet u krijuan mundësitë për t’i blerë biletat pa shkuar në Vatikan: falë angazhimit të Drejtorisë së Tekomunikimit-Provider Servizi Internet Vaticani dhe drejtorisë së kontabilitetit të Shtetit të Guvernatoratit, biletat mund të blihen duke u lidhur me seksionin përkatës të faqes së internetit vaticanstate.va.








All the contents on this site are copyrighted ©.