2017-12-01 12:16:00

Papa në Daka: një popull bujar i mbështet meshtarët me lutje


E sotmja ishte Festë e Zotit dhe e Kishës së Tij të vogël në Bangladesh, që u shtrëngua fort rreth Papës. Tridhjetë e një vjet pas Shën Gjon Palit II, një pasardhës tjetër i Pjetrit shuguroi meshtarë disa diakonë të Golden Bengal, ditën e dytë të vizitës në vend. Në vitin 1986 numëroheshin 18 meshtarë, ndërsa sot, vetëm gjatë një kremtimi publik në Dakën, ku jehonin këngët në gjuhën bengali, Papa Françesku vuri duart mbi kokat e 16 diakonëve, 10 dioqezanë e 6 të kongregatave rregulltare, i ndjekur me devocion e hare të papërshkrueshme nga më se 100 mijë besimtarë, mbledhur në Suhrawardy Udyan Park, ish-klub për ushtarakët britanikë e më pas, hipodrom për garat e kuajve të tyre. Të rinjtë u shtrinë përdhe mbi një tribunë shumë të thjeshtë, altar i kësaj Meshe të jashtëzakonshme, i stolisur me kallame bambuje e kashtë të artë.

Pas homelisë, frymëzuar nga rituali për shugurimin e të rinjve, në të cilën i ftoi meshtarët të ndjekin gjithnjë shembullin e Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer, Papa, duke e lënë për një çast mënjanë tekstin zyrtar e duke folur në gjuhën italiane, iu drejtua lirisht turmës, që e ndiqte me përkushtim të madh kremtimin:

“Tani dëshiroj t’ju drejtohem ju, të dashur vëllezër e motra, që erdhët në këtë festë të madhe të Zotit, në shugurimin e këtyre vëllezërve meshtarë. E di se shumë prej jush kanë ardhur nga larg, duke shtegtuar për dy ditë radhas... Por, faleminderit për bujarinë! Kjo  shpreh qartë dashurinë tuaj për Kishën, tregon dashurinë për Jezu Krishtin”.

Ju falënderoj për besnikërinë tuaj - shtoi Françesku - duke i ftuar besimtarët të vijojnë ecjen gjithnjë me shpirtin e lumnive e duke u kujtuar të luten gjithnjë për meshtarët e tyre, posaçërisht për këta, që morën sot sakramentin e urdhërit të shenjtë:

“Populli i Zotit i mbështet meshtarët me lutje. Është detyra juaj t’i mbështesni meshtarët. Ndonjëri nga ju mund të më pyesë: ‘Por, o atë, si mund t’u mbështetka meshtari?’. Besojini bujarisë suaj! Zemra bujare, që ju rreh në kraharor, do t’ju tregojë si mbështeten meshtarët. E ndihma e parë, që e mbështet meshtarin, është lutja”.

Mos u lodhni kurrë duke u lutur për këta, që do të jenë meshtarët tuaj - përfundoi Papa Françesku – e unë e di se do ta bëni këtë.

Pastaj, riti sugjestiv i shugurimit, me 16 diakonët të cilët, pasi premtuan se do ta respektojnë e do t’i binden kardinalit Patrick D’Rozario, kryeipeshkëv i Dakës, u përkulën me përkushtim para Papës Françesku, që vuri duart mbi kokat e tyre. U bënë, kështu, meshtarë të Krishtit, për Kishën e vogël të Bangladeshit, që e ndiqte me emocion të thellë këtë kremtim të jashtëzakonshëm. 








All the contents on this site are copyrighted ©.