2017-12-01 18:16:00

Papa: baritoria e thirrjeve nuk është spektakël


Në shoqëritë tona ka të rinj, të cilët “pavarësisht se i përkasin brezit të ‘selfie’”, ose një kulture që duket më tepër “e gaztë” se sa “e lëngshme”, janë në kërkim të “kuptimit të plotë për jetën e tyre”, megjithëse jo gjithnjë kërkojnë aty ku duhet. Nga ky reflektim niset mesazhi i Papës Françesku për konferencën “Baritoria e thirrjeve dhe jeta e shuguruar. Horizonte dhe shpresa”, organizuar nga Kongregata për Institutet e jetës së shuguruar dhe Shoqëritë e jetës apostolike. Takimi, që do të vijojë deri të dielën, në universitetin kishtar “Regina Apostolorum” të Romës, mbahet në përgatitje të Sinodit të ipeshkvijve 2018, kushtuar temës “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”.

         Papa kujton se shërbimi për thirrjet është “shpirti” i ungjillëzimit dhe “i gjithë baritorisë së Kishës”. Baritoria e thirrjeve, shton Ati i Shenjtë, nuk mund të reduktohet në veprimtari në vetvete, me rrezikun për të rënë në prozelitizëm, ose – siç thoshte Shën Gjon Pali II – në “tundimin e rekrutimeve të lehta e të shkujdesura”. Baritoria e thirrjeve, që nuk është “baritori spektakël” apo “baritori për të kaluar kohën”, “është itinerar i vërtetë feje”, që çon në një takim personal me Krishtin. Papa e nxit Kishën të kujdeset veçanërisht për familjen, në mënyrë që prindërit ta marrin përsipër, “me gëzim e përgjegjësi”, misionin për të qenë nxitësit e parë të thirrjes së fëmijëve të tyre, duke shkuar përtej egoizmave, llogarive dhe perspektivave të pushtetit.

         Baritoria e thirrjeve, nënvizon më tej Papa, është e lidhur ngushtë me atë rinore: “mbështetet, lind dhe zhvillohet” mbi të, prandaj duhet të kapen për dore. Ati i Shenjtë fton për një vështrim të qartë e të mprehtë mbi botën e të rinjve, duke kërkuar mjetet e përshtatshme për kumtimin e Lajmit të Mirë e, së bashku me të, edhe të “Ungjillit të thirrjeve”. Sipas Papës Françesku, të rinjtë duhen shoqëruar, duhet të ecësh me ta, t’i dëgjosh, t’i provokosh, t’i shtysh të shkojnë përtej rehative të jetës, duke favorizuar lirinë për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.