2017-12-01 13:33:00

Krishterimi në Bangladesh: trashëgimia e meshtarëve të sotëm


Grupe tregtarësh portugezë e, siç ndodhte aso kohe, edhe grupe të vogla apostujsh, veshur me zhguna të vrazhtë e shtyrë nga ndjete krejt të ndryshme nga ato të tregtarëve, shkelnin në këto toka, ku sot kremton Papa. Kështu, ndërmjet viteve 1599 e 1600 krishterimi arrinte edhe në Bangladesh. Ata që e sillnin me vete, duke shtrënguar fort në kraharor kryqin, ishin  Domenikanët, Françeskanët, Jezuitët e Agostinianët.

Ky fill i historisë e i fesë do t’u prijë 16 të rinjve, që u gjunjëzuan njëri pas tjetrit para Papës. Filli i martirit të parë - atit jezuit Francisco Fernanndez, i vrarë në vitin 1602, ndërthuret me tymnën e një Kishe që, 200 vjet më pas, u ngrit në rangun e Vikariatit Apostolik të Bengalës e u bë indi, që  sot arriti t’i shohë disa nga bijtë vet duke u gjunjëzuar, për t’u shuguruar nga duart e Mëkëmbësit të Krishtit. Papa nuk harroi të nënvizojë edhe vështirësitë që hasen, në përpjekjen për ta jetuar për gjithë jetën këtë thirrje, e cila mund edhe të lëkundet nga një mori pengesash, ndonëse është urë që lidh tokën me qiellin.

Duke u ngritur, pasi kreu homelinë e përgatitur, Françesku pohoi se meshtari e jeton mirë shërbesën, nëse ruhet nga vetë njerëzit e tij. “Ruajini meshtarët tuaj”,  i porositi Françesku 100 mijë besimtarët, që ndiqnin  Meshën.

Është angazhim i lashtë, ky i Ungjillit, por, në një mori visesh të botës, posaçërisht të asaj perëndimore, i harruar - e shumë, tepër meshtarë, janë viktima të vetmisë, që mund të vrasë edhe bindjen më të fortë.

Angazhim që, në Bangladesh, siç e tregojnë numrat, duket se është marrë e është mbajtur, duke pasur parasysh se 16 meshtarë duken shumë, në një realitet, ku katolikët janë vetëm 0.24% e popullsisë.

E nëse këto numra janë shenjë e një fuqie ushqyese, kjo do t’i ndihmojë të rinjtë, që sot për herë të parë veshën stolën, për të qenë tipi i barinjve, të cilët i pëlqejnë aq shumë Françeskut. Barinj me erën e deleve! Por edhe, e kryesisht - siç u shpreh Papa në Jangon – “me aromën e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.