2017-11-30 11:49:00

Papa Françesku arriti në Daka, në Bangladesh


Papa është në Bangladesh. Avioni me të cilin udhëtonte, u nis në orën 7.55 nga Mianmari e arriti pak minuta pas orës 10.00 në aeroportin e Dakës. Për ta pritur Atin e Shenjtë kishin dalë presidenti i Republikës, Abdul Hamid, disa nga autoritetet më të larta të vendit dhe dhjetë ipeshkvij. Sapo zbriti, një grup fëmijësh i dhuroi lulet e mikpritjes e, më pas, u rrethua nga grupe valltarësh, veshur me rroba tradicionale, në festë.

Etapa e dytë u hap menjëherë me takimet protokollare në kryeqytetin Daka. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Françesku bëri homazhe në Memorialin e Martirëve të Atdheut dhe në Memorialin e Atit të Kombit në Bangabandhu Memorial Museum. Papa do të takohet privatisht, sipas skemës së zakonshme, me presidentin Abdul Hamid, për të marrë, më pas, fjalën në takimin me autoritetet politike, civile e diplomatike të vendit. 

Në mesazhin e falënderimit drejtuar Presidentit të Mianmarit, Htin Kyaw, Ati i Shenjtë vlerësoi lart institucionet e popullit të dashur të Mianmarit  për pritjen e ngrohtë e bujare. Duke kërkuar bekimin hyjnor mbi gjithë kombin, kujtoi se lutet për paqen e harmoninë në vend.

Para se të largohej nga ish-kolonia britanike, drejt Bangladeshit, i dhuroi kryeipeshkvit të Jangonit një shtatore të Shën Françeskut duke u predikuar zogjve: simbol i mirënjohur e prekës i vëllazërimit të njeriut me gjithësinë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.