2017-11-29 11:44:00

Vijon shtegtimi i Papës: sot, në Mianmar, nesër, në Bangladesh


Vijon shtegtimi i Papës: sot, në Mianmar, nesër, në Bangladesh. “Harmoni e Paqe”. Qëllimi i etapës së parë të shtegtimit të Papës në Mianmar, u pasqyrua në të gjitha takimet dhe kremtimet. Sidomos, në takimin me viset e njerëzit e këtyre periferive, të cilat i vë gjithnjë në plan të parë.

Sot, 29, përsëri në Jangon, Françesku kremtoi Meshën në një hipodrom të lashtë kolonial, tani supermerkat sportiv, për të hyrë, pastaj, në atmosferën e Kaba Aye paya, “Pagodës së paqes botërore”, ku po takohet me Këshillin e lartë “Sangha” të 47 murgjërve budistë, kryesuar nga doktor Bhaddanta Kunarabhivamsa e, më pas, takimi me ipeshkvijtë birmanë. Nesër, e enjte, 30,  një kremtim tjetër eukaristik në St Mary’s Catthedral të Jangonit me protagonistë, të rinjtë  birmanë.

Shumë i rëndësishëm, në Mianmar, takimi me budistët. Në Bangladesh, ai ndërfetar. Është rikthim në temën e marrëdhënieve paqësore ndërmjet feve. E duhet nënvizuar edhe se, në të dy vendet, Papa e përfundon vizitën duke u takuar me të rinjtë. Për t’u kujtuar të gjithëve se edhe nga bashkësitë e vogla katolike, mund të lindin shpresa të mëdha!

Etapa e Bangladeshit

Nesër, pas Meshës në St Mary’s Catthedral të Jangonit, dy orë e gjysëm fluturim drejt perëndimit, për të arritur në Bangladesh në orën 15 me atë lokale.  Etapa e dytë do të hapet menjëherë me takimet protokollare në kryeqytetin Dhaka. Pas homazheve në Memorialin e Martirëve të Atdheut dhe në Memorialin e themeluesit të Kombit, Françesku do të takohet privatisht, sipas skemës së zakonshme, me presidentin Abdul Hamid, për të marrë, më pas, fjalën në takimin me autoritetet politike, civile e diplomatike të vendit. Ditën e mëpasme, 1 dhjetor, Papa do të kryesojë Meshën, me shugurimin e 16 meshtarëve, do të presë për vizitë, në nunciaturë, kryeministrin bengalez, për ta përfunduar ditën në takim me ipeshkvijtë vendas e mijëra njerëz, që priten në takimin  ndërfetar dhe ekumenik për paqen. Dita e fundit, 2 dhjetor, do të hapet me një nga takimet më të pritura: vizitën që do t’u bëjë Françesku të sëmurëve të “Shtëpisë Nënë Tereza”, në Tejgaon, për të vijuar me përqafimin e rregulltareve e rregulltarëve të Bangladeshit. Takimi i fundit, ai me të rinjtë. Edhe këtu, si në Mianmar, hapësira e fundit e dëshiruar nga Papa do të jetë për ata, që do të kenë mundësi t’i japin limfë të re asaj “paqeje” e cila, prej ditësh shpaloset mbi zemrën e pëllumit!

Gjatë takimit ndërfetar dhe ekumenik për paqen, në program për 1 dhjetorin e ardhshëm, në Dhaka të Bangladeshit, do të jetë i pranishëm edhe një grup refugjatësh rohingya.

Para se të kremtojë Meshën Shenjte në Dhaka, disa fëmijë rrugësh do t’i dhurojnë Papës një palë sandale, realizuar me duart e tyre. Në të dy vendet aziatike, Papa Françesku do të udhëtojë me një makinë të mbyllur, jo të blinduar. Në Mianmar, u strehua në kryeipeshkvi, ndërsa në Bangladesh, në selinë e nunciaturës.

Në të dy vendet, ky është shtegtim drejt periferive. Papa Françesku flet shumë për periferitë, e kjo është vërtet periferi: si për distancën, e ashtu edhe për bashkësinë katolike shumë të vogël. E në të dy vendet, Papa dëshiron të dëshmojë përsëri, vlerën e fesë për paqen e pajtimin, pa harruar kurrë përforcimin në fe të bashkësisë katolike të këtyre dy vendeve, pakicë, por jo pa rëndësi në indin, si të Bangladeshit, ashtu edhe të Mianmarit…








All the contents on this site are copyrighted ©.