2017-11-29 14:59:00

Takimi i komisionit të Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë për shëndetësinë


Takimi i parë i komisionit kombëtar për shëndetësinë, pranë Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, u mbajt nën drejtimin e presidentit, ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli. Punimet u zhvilluan mbi temën “Lum duart e hapura që nuk kërkojnë asgjë në këmbim, por janë duart që thërrasin bekimin e Hyjit mbi të varfërin dhe të sëmurin” e pjesëmarrësit caktuan edhe disa propozime konkrete! Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit..

        TAKIMI I KOMISIONIT KOMBËTAR PËR SHËNDETËSINË

“Lum duart e hapura që nuk kërkojnë asgjë në këmbim, por janë duart që thërrasin bekimin e Hyjit mbi të varfërin dhe të sëmurin”!

Nën moton e Papa Françeskut u mbajt takimi i parë i komisionit kombëtar për shëndetësinë, nën drejtimin e presidentit të këtij komisioni, ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, emëruar nga Konferenca Ipeshkëvnore e Shqipërisë. Në këtë takim të zhvilluar në rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, morën pjesë përfaqësues nga dioqezat e Shqipërisë dhe nga  Caritasi Kombëtar.

Imzot Simoni që në fillim të këtij takimi, tha se, bota na thërret për ndihmë dhe Kisha nën udhëheqjen e Papa Françeskut ka për detyrë të jetë pranë atij që vuan. Ai ftoi më pas të pranishmit në prezantimin e situatës së sektorit shëndetësor në dioqezat ku veprojnë. Po ashtu u diskutua edhe mbi sfidat e hasura dhe vështirësitë gjatë punës së tyre edhe mbi projektet aktuale përmes të cilëve personeli shëndetësor vepron në misionin e tij. E një ndër to është edhe projekti me titull: “Kujdesi paliativ në banesë”, një projekt mjaft i rëndësishëm i mbështetur prej vitesh nga Caritas Shqiptar, dhe që aplikohet në dioqezat Rrëshen, Shkodër dhe Lezhë.

Si rrjedhojë, takimi vazhdoi edhe me propozime të reja, ku mund të përmendim:

- Hartimi i një database në nivel Kombëtar për të gjitha shërbimet që ofrohen në dioqeza;

- Takime më të shpeshta dhe më të hapura me komisionet, por edhe me Caritaset dioqezane e me Caritasin kombëtar;

- Formimi nga ana shpirtërore i personave për të penguar korrupsionin;

- Të fuqizohet vullnetarizmi nëpër dioqeza

- Të përhapet në dioqezat e tjera kremtimi i ditës së të sëmurëve duke u nisur nga shembulli që ofron Dioqeza e Sapës.

- Një meshtar që të kryejë vizita mujore në spitale dhe kremtime sakramentesh, etj.








All the contents on this site are copyrighted ©.