2017-11-29 11:08:00

Papa Françesku në Mianmar: t’i shërojmë plagët të udhëhequr nga “GPS” i Jezusit.


Papa Françesku në Mianmar: t’i shërojmë plagët të udhëhequr nga “GPS” i Jezusit. Një Kishë, që ka më pak se 700 mijë besimtarë, mblodhi sot rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit 150 mijë vetë, të ardhur edhe nga zonat malore të Mianmarit, edhe në këmbë. I tregoi, kështu, vendit e botës se është plot gjallëri, e aftë për solidaritet ndaj të tjerëve, pa dallim feje e etnie, që mund ta ndihmojë këtë vend të martirizuar nga konfliktet etnike, ende të pazgjidhura, për të gjetur rrugën e drejtë e për t’i shëruar plagët akoma të hapura.

Gjatë Meshës, e para në Mianmar, kremtuar në parkun e madh Kyaikkasan të Jangonit, në mëngjesin plot vapë e lagështirë të Jug-lindjes aziatike, Papa Françesku i përshëndeti birmanët me shprehjen e tyre të mirëseardhjes “Min gla ba”. Për të  kujtuar, më pas, se në Krishtin e kryqëzuar gjejmë një busull të sigurt, e cila mund ta udhëheqë jetën tonë, duke e ndriçuar me dritën, që buron nga Zoti. E në plagët e Tij, mund të gjejmë burimin e çdo mjekimi:

“E di se shumë në Mianmar i kanë ende të hapura plagët e dhunës, të dukshme e të padukshme. Natyrisht njeriu tundohet t’u përgjigjet këtyre lëndimeve me urtinë njerëzore që, ashtu si ajo e mbretit në Leximin e parë, është urti e njeriut të pushtuar nga vesi. Gjë që na shtyn të mendojmë  se plagët mund të mjekohen vetëm me zemërim e hakmarrje. Po kjo nuk është udha e Jezusit. Jezusi nuk na e mëson hakmarrjen!”.

Udha e Jezusit - nënvizoi Papa - është rrënjësisht e ndryshme, sepse “kur urrejtja e mohimi e çuan drejt mundimeve dhe vdekjes, Ai u përgjigj me falje e mëshirë”. Prej këndej, përmes dhuratës së Eukaristisë, mësojmë  si të gjejmë prehje në plagët e Krishtit e aty edhe të pastrohemi nga të gjitha rrugët tona të shtrembëra, që tundohemi t’i përshkojmë, si përgjigje për dhunën e pësuar. Në plagët e Krishtit - u kujtoi Françesku katolikëve birmanë - mund të shijoni “balsamin” e mëshirës së Atit e të gjeni forcë për t’ua çuar edhe të tjerëve, për të vajosur, kështu, çdo kujtim të dhimbshëm:

“E di se Kisha në Mianmar po bën shumë për t’ua çuar balsamin shërues të mëshirës së Zotit edhe të tjerëve, posaçërisht më nevojtarëve. Ka shenja të qarta që tregojnë se, edhe me mjete të kufizuara, shumë bashkësi ua  shpallin Ungjillin pakicave të tjera fisnore, pa i detyruar kurrë, por gjithnjë duke i ftuar e duke i mirëpritur”.

Kisha plot gjallëri e Mianmarit i ndihmon fuqimisht të varfërit dhe të vuajturit e të gjitha feve dhe etnive përmes Catholic Karuna Myanmar, Karitasit vendas, e Jezusi - përfundoi Papa - do t’i çmojë përpjekjet tuaja për të mbjellë farë shërimi e pajtimi në familjet, bashkësitë dhe në të gjithë shoqërinë e këtij kombi:

“Mesazhi i Tij i faljes e i mëshirës bazohet mbi një logjikë, që jo të gjithë duan ta kuptojnë e, natyrisht, do të hasë edhe pengesa. Gjithsesi, dashuria e Tij, e treguar mbi kryq, është e pandalshme. Është si ‘GPS shpirtërore’1, që na prin  në mënyrë të pagabueshme drejt jetës intime të Zotit e zemrës të të afërmit tonë”.

1 GPS: shkurtim i  fjalëve “Sistemi i pozicionimit global”








All the contents on this site are copyrighted ©.