2017-11-28 12:48:00

Papa në Mianmar: sot, dita e takimeve zyrtare


Për Papën, e sotmja është ditë takimesh zyrtare. Dje, pushimi i pjesshëm i Françeskut, që sapo kishte arritur në Mianmar, pas një udhëtimi tejet të gjatë, u ndërpre nga bisedimi me gjeneralin Hlaing, në kryeipeshkvinë e Jangonit, ndërsa sot pasdite Papa do të arrijë, pas një fluturimi të shkurtër, në Nay Pyi Taw, kryeqytet i vendit.

Këtu, në orën 16.00 e 16.30 (me orën vendase) do të ketë dy takime private: i pari, me Presidentin birman Htin Kyaw e i dyti, me Aung San Suu Kyi, sot Këshilltare e Shtetit dhe Ministre e Jashtme, ndërsa në të kaluarën, protagoniste e luftës për demokraci kundër regjimit ushtarak, gjë që e pagoi me 15 vjet arresti shtëpiak, por edhe që iu shpagua, me Çmimin Nobel për Paqen.

Në përfundim të dy takimeve, Françesku do të arrijë në International Convention Center, ku do të mbajë fjalimin e tij të parë zyrtar përpara përfaqësive të autoriteteve, të shoqërisë civile dhe të Trupit Diplomatik. Do të bëjë, kështu, hapin e  parë,  i cili i çel rrugën të flasë për atë paqe të brendshme në Minamar që, sipas shërbesës papnore të Françeskut, nuk mund të veçohet kurrë nga respektimi i të drejtave të të gjithëve e, posaçërisht, të atyre që vuajnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.