2017-11-28 12:31:00

Historia e trukuar, nuk është Histori


Që historia është e gjinisë femërore, këtë e dimë të gjithë. Ashtu si e dimë se është gjithnjë në moshë tejet të shtyrë. Mijëravjeçare. E që ndoshta, prandaj,  vijon të trukohet në shekuj. Trukon fotografitë. Trukon shkrimet. Trukon deri dokumentet, që nuk duhet t’i prekte kurrë më kthetra e kohës. E përpiqet të trukojë deri shpirtin. Po kur historia plakë – qindravjeçare – e tepron me trukime, nuk i beson më askush.

E sidomos, kur kjo ndodh në atmosferën e festave të mëdha, kur njeriu ka nevojë të besojë me gjithë shpirt në ideale të shenjta - si për shembull, Atdheu e atdhetarët. Po ndokujt - me sa duket - i pëlqen ta shikojë të trukuar edhe Atdheun. E dëshmon këtë një dokument “i harruar” në trukim e sipër, i postuar në prag të Festës Kombëtare në fejsbuk, nga Aurel Plasari:

Nr. 83 Fjalë 77 O.F.

                                                                                                                           Boston Westernunion 4 Shënndre 1912-1928

                                                                                                                                            Ora e Asamblesë Kombëtare

                                                                                                                                                                         Vlorë

Federata panshiqptare Vatra dërgon përgëzime të nxehta për inauguracionin i cili do të mbahet mend. I lutet Asamblesë Kombëtare me mos pranue kandidaturën e nji princi muhamedan. Mos e bani Shqipniën një shtet Oriental si Khiva, Bukahara, Afganistani, Tunisia e të tjera. Kini për ideal nji Shqipnië Europiane, si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Belgjika. Ja përse ne preferojmë nji princ nga familje mbretnore Europiane i cili do të sjelli tradita oksidentale.

I ndënshkruemi i lutet veçanerisht deputetëve muhamedanë qi t’a tregojnë patriotismën e tyne tyke zgjedhë nji princ të krishtêrë. Me bâmë ndryshe do t’ishte si me bâmë nji faj që s’ndreqet mâ.

                                                                                                                                                                            Për Komisionin

                                                                                                                                                                               Faik Konica

“Në të dyja përmbledhjet me dokumente të veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës - “Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj: nëndor 1912 - janar 1914” (1963) dhe “Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh” (1982) - ky mesazh i qenësishëm i Faik Konicës në emër të Federatës “Vatra” mungon – shton Plasari - Madje, për habi, mungon edhe në faqet e koleksionit të gazetës së Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës”. Që të mos jetë pëlqyer atëherë, kjo vetëkuptohet dhe nuk ka nevojë për interpretim. Po sot, vallë, a pëlqehet?” 1- pyet Plasari.

Lexuesit, pushtuar nga emocionet e 28-tës e prekur në shpirt nga valavitjet e Flamujve të festës, s’i mbetet tjetër, veçse të urojë të mos trukohen edhe këto simbole shenjte e edhe të pyesë veten: “Kush?- e - Pse?”.

1 Ruejtja e dokumentit, falë zotit Lef Nosi, ish Ministër i Postave dhe Telegrafëve në Qeverinë e Përkohshme të Vlonës. jo vetëkuptohet dhe nuk ka nevojë për interpretim. Po sot, vallë, a pëlqehet?








All the contents on this site are copyrighted ©.