2017-11-28 15:58:00

Fe e atdhe!! Letër baritore e Ipeshkvinjëve të Shqipërisë për 100-vjetorin e Pavarësisë


FE E ATDHE! Po kujtojmë më rastin e festës së 28 nëntorit Letrën baritore të Ipeshkvijve të Shqipërisë për 100-vjetorin e Pavarësisë drejtuar besimtarëve katolikë dhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë! Tiranë 2012

Të dashur vëllezër e motra,

Fe e atdhe është binomi që, për shekuj me radhë, ka frymëzuar shumë vëllezër e motra atdhedashës, të cilët kanë punuar pa lodhje e pa pushuar për të mirën shpirtërore dhe materiale të atdheut tonë, Shqipërisë. Ne, si barinj shpirtërorë të Kishës Katolike në Shqipëri, po ju drejtohemi të gjithëve ju, vëllezër e motra katolikë, por edhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë me anë të kësaj letre në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të Qeverisë së Parë Shqiptare pas pushtimit otoman 500-vjeçar. Ky është një rast i veçantë për ne që të falenderojmë Hyjin për atdheun tonë e për të gjithë ata atdhetarë, të cilët, në mënyra të ndryshme e me përkushtim, kanë punuar dhe janë munduar për të mirën e Shqipërisë. Nuk mund të mos përmendim në krye të kësaj letre faktin që, ndër etërit themelues të shtetit dhe kombit të ri shqiptar, qëndrojnë figura të rëndësishme të hierarkisë katolike dhe mbarë komunitetit katolik, si Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, Imzot Luigj Bumçi dhe Atë Gjergj Fishta o.f.m, si dhe personalitete të tjera që i bëjnë nder jo vetëm Kishës, por edhe kombit. Ata ishin ndër ideatorët e themelimit të shtetit dhe “ambasadorët” e Shqipërisë pranë vendeve europiane dhe më gjërë.

Për të krishterët katolikë, ky jubile përkon edhe me disa ngjarje të tjera, sikurse është 50-vjetori i hapjes së Konçilit II të Vatikanit, që solli një freski ripërtëritjeje në Kishën Katolike dhe sidomos në marrëdhëniet e saj me botën, por përkon edhe me hapjen e vitit të fesë, që do të bëhet më 11 tetor të këtij viti, ashtu siç është shpallur tashmë nga Papa Benedikti XVI në letrën e tij në formën e Motu Proprio Porta Fidei[1].

Nga dita e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 e deri më sot vendin tonë e kanë përshkuar valët e historisë dhe kanë lënë gjurmë të thella në të. Si e gjithë Europa, edhe vendi ynë kaloi dy luftërat botërore, të cilat kanë përbërë një shkatërrim me pasoja të mëdha për njerëzimin. Sigurisht, dëmet që pësoi vendi, duke qenë se sapo kishte dalë nga një pushtim tjetër shumë i gjatë, ishin të mëdha. Megjithatë, ishin vënë re shenja rimëkëmbjeje në fusha të ndryshme, si në atë kulturore, ekonomike dhe politike. Në mënyrë të veçantë, një rimëkëmbje kulturore në vitet '30 në shumë rrethe dhe shoqata të kohës i kishte dhënë hov jetës së vendit e dalëngadalë po krijonte premisat për një të ardhme më të mirë për vendin tonë si pjesë e familjes europiane. Kisha Katolike me institucionet e saj fetare dhe shkollore dha një kontribut të rëndësishëm në këtë rimëkëmbje. Por, mbi Shqipërinë ra një fatkeqësi tjetër, e cila e mbajti atë të ngërthyer për pothuajse 50 vjet. Kjo fatkeqësi ishte regjimi komunist, një nga më të egrit në botë. Me ardhjen e këtij regjimi, Shqipëria humbi shumë; humbi lirinë në të gjitha dimensionet e saj e, në mënyrë të veçantë, lirinë e besimit. Ndalimi i besimit me kushtetutë, si dhe shkatërrimi i objekteve të kultit apo shndërrimi i tyre për vepra profane ishte një fakt i paprecedent. Kisha Katolike pësoi një torturë dhe përndjekje shumë të madhe. Klerikë, motra dhe laikë katolikë u përndoqën, u vranë e u burgosën për shkak të besimit të tyre, duke shkaktuar kështu një martirizim të gjatë të Kishës. Gjithashtu, e gjithë kjo u shoqërua me një propagandë të shtrirë në të gjitha sferat e jetës kundër ndjenjave më të thella njerëzore, veçanërisht atyre fetare. Pasojat e kësaj shtypjeje dhe dhunimi po i vuajmë ende sot e kësaj dite.

Rënia e komunizmit dhe ardhja e demokracisë hapi një dritare të re për popullin tonë aq të vuajtur. Kësisoj, shembulli i madh dhe qëndresa heroike e shumë të krishterëve katolikë dha një kontribut shumë të madh në ardhjen e lirisë. Nuk mund të harrojmë që shenja e parë e kësaj lirie ishte mesha e kremtuar në varrezat e Shkodrës më 4 nëntor 1990, kur regjimi ishte ende në këmbë. Shenja të këtij kontributi dhe kësaj ringjalljeje ishin edhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Vatikanin, vizita historike e të Lumit Gjon Pali II më 25 prill 1993, ditë në të cilën u rimëkëmb edhe njëherë hierarkia kishtare dhe ardhja e shumë misionarëve që iu përgjigjën bujarisht thirrjes së Atit të Shenjtë për të punuar me dashuri e përkushtim në tokën dhe popullin e Shqipërisë.

Dy ngjarje të tjera të rëndësishme për të cilat falenderojmë Zotin janë Lumturimi i bijës sonë, me të cilën krenohemi, Nënë Terezës, më 19 tetor 2003 prej të Lumit Gjon Pali II dhe përfundimi i procesit dioqezan të kanonizimit të 40 martirëve të komunizmit, proces që tani vazhdon në Kongregatën për Shenjtërit në Romë.

Në këto vjet, përveç lirisë së fituar, nuk mund të mos i gëzohemi edhe një bilanci pozitiv, sidomos në fushën e lirisë e të drejtave të njeriut, të lirisë së shprehjes së besimit, të fjalës dhe të mendimit. Rritja në fushën eknomike, lëvizja e lirë e qytetarëve, formësimi i një kuadri ligjor gjithnjë e më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë dhe demokratizimi i mëtejshëm i vendit janë sinjale që premtojnë për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Vetëm në këtë mënyrë, atdheu ynë do të shmangë përfundimisht rrezikun e izolimit nacionalist. Një atdhe i vërtetë është vetëm një atdhe i lirë, për kombet e tjera dhe me kombet e tjera, duke qenë në një proces të vazhdueshëm dhënieje e marrjeje.

Nuk mund të mos i gëzohemi ende faktit që disa vlera të rëndësishme sikurse janë jeta, martesa dhe familja, edhe pse të dëmtuara në shumë aspekte, janë sërish vlera ku mbështetet shoqëria shqiptare. Kjo e fundit ka prirjen për t’i ruajtur dhe kultivuar ato edhe më shumë. Duke dashur të hedhim vështrimin mbi të ardhmen e atdheut tonë, duam që me këtë letër të kujtojmë disa aspekte që përbëjnë një konstatim, por edhe një angazhim, që kjo e ardhme të jetë më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke qenë se kremtimi i këtij përvjetori u përket të gjithë shqiptarëve, nuk mund të mos i gëzohemi edhe një pavarësie tjetër, asaj të popullit të Kosovës, i cili tashmë ka shtetin e tij dhe gëzon të drejtat e popujve të lirë. Mendimi ynë shkon edhe për të gjithë ju vëllezër e motra që jeni në diasporë. Shqiptarët e diasporës kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm qoftë në fillimet e shtetit të ri shqiptar, qoftë në kohën e komunizmit, por edhe në kohën tonë. Këtë 100-vjetor shumë prej jush do ta kremtoni në vende të tjera, por sigurisht me zemër jeni të lidhur me atdheun tuaj. Shqipëria mbetet gjithmonë vendi juaj e gjithmonë ju pret me krahëhapur e ne si barinj shpirtëror ju sigurojmë afërsinë dhe përkujdesjen tonë.

1.Pa familje nuk ka atdhe

Katekizmi i Kishës Katolike e vendos provanisht dashurinë për atdheun në shpjegimin që bëhet për urdhrin e katërt të Dekalogut, i cili na porosit "të duam nanën e babën"[2]. Vetë ky urdhërim është i përfshirë në kapitullin me titull “Duaje të afërmin tënd si vetveten”. Kështu, të afërmit e parë për t’u dashur janë nëna dhe babai, të cilët na kanë dhënë jetën dhe janë kujdesur për ne. Lidhur me këtë, gjuha shqipe ka dy fjalë të përzemërta, me të cilat thërrasim atdheun dhe ato janë atdhe dhe mëmëdhe; dy fjalë të lidhura ngushtë me rrënjën e tyre: at dhe mëmë; fjalë të dashura për çdonjërin prej nesh, që na kujtojnë pikë së pari familjen. Ndaj, pa familje nuk ka atdhe. Pa dashuri ndaj familjes nuk mund të ketë dashuri ndaj atdheut dhe pa angazhim për familjen nuk mund të ketë angazhim për atdheun. Për këtë arsye, mesazhi i parë në këtë 100-vjetor është ai për familjen, duke qenë se, edhe Shqipëria, në përngjasim me vende të tjera po ndjen krizën e familjes. Pavarësisht konstatimit se familja është një vlerë ende e fortë në vendin tone, nuk mund të mos konstatojmë edhe faktin që numri i divorceve, dhuna në familje e të tjera fenomene si lojërat e fatit, kazinotë, bastet sportive, alkoli etj, kanë dëmtuar e po e dëmtojnë familjen. Ne, si ipeshkëvinj, theksojmë nevojën për një rivlerësim të familjes si qeliza e shoqërisë, e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje; e sanksionuar kjo edhe në kodin e familjes të Republikës së Shqipëri. Qysh prej fillimit, kur u krijua njeriu, duket qartë se si në shestimin e Hyjit çifti përbën “formën e parë të bashkësisë së personave”[3]. Gruaja krijohet e ngjashme me burrin, duke e plotësuar atë me diversitetin e saj (Zan 2,18). Në të njëjtën kohë, të dy së bashku janë të angazhuar në detyrën bashkëkrijuese, gjë që i bën bashkëpunëtorë të Krijuesit.

Sikurse ka theksuar edhe Gjon Pali II, familja ravijëzohet në shestimin e krijuesit si “një vend parësor i humanizimit të personit njerëzor” dhe të shoqërisë e gjithashtu si “djep i jetës dhe i dashurisë”[4]. Puna për një familje të fortë e të mbështetur mbi vlerat më të mira njerëzore do të krijojë premisat që kjo familje të japë kontributin e saj të pazëvendësueshëm për zhvillimin e atdheut. “Pa familje të forta në bashkim dhe të qëndrueshme në angazhim, popujt e humbin qëndrueshmërinë e tyre. Brenda familjes rrënjosen qysh në vitet e para të jetës vlerat morale, transmetohen pasuritë shpirtërore të bashkësisë fetare, të asaj kulturore e të atdheut. Brenda saj merren mësimet e para të përgjegjësisë shoqërore dhe të solidaritetit”[5].

Ndaj, së pari, ftojmë familjet që të ruajnë bashkësinë e tyre; në mënyrë të veçantë, familjet e reja që të krijojnë bazat për përballimin e vështirësive, të cilat jo gjithmonë tregojnë pamundësi, për të jetuar bashkë e për të rritur një familje të shëndetshme. Së dyti, ftojmë institucionet shtetërore e, në mënyrë të veçantë, ato edukuese, që të bëjnë kujdes të veçantë për edukimin e të rinjve me ndjenjën e familjes dhe të dashurisë. Po ashtu, ftojmë juristët dhe ligjvënësit që të jenë të kujdesshëm ndaj ligjeve që mund të dëmtojnë familjen natyrore dhe të promovojnë ato ligje që e ndihmojnë këtë familje. Kisha Katolike, si një institucion i edukimit të ndërgjegjeve, nuk do të rreshtë kurrë së ngrituri zërin në mbrojtje të familjes dhe të vlerave që e bëjnë atë më të qëndrueshme dhe më të fortë.

2.Duaje të afërmin tënd porsi vetveten

“Urdhri i katërt i Dekalogut, – na thotë Katekizmi i Kishës Katolike, – ndriçon edhe marrëdhëniet e tjera në shoqëri. Në vëllezërit tanë dhe në motrat tona shohim bijtë e prindërve tanë; në kushërinjtë tanë pasardhësit e paraardhësve tanë; në bashkëqytetarët tanë bijtë e atdheut tonë…”[6]. Dashuri për atdheun do të thotë edhe dashuri për të afërmin që Zoti ka vendosur pranë meje në të njëtën tokë. Për të krishterët, kjo dashuri shkon deri në dashurinë për armikun.

Në një realitet multikulturor dhe multifetar, sikurse është ai shqiptar, na del përpara detyra e madhe që të gjithë së bashku të punojmë për të mirën e vendit. Kësisoj, dialogu dhe pajtimi mes të ndryshmëve është një gjë shumë e rëndësishme. Duhet të falenderojmë Zotin që kalimi nga regjimi komunist në atë demokratik në Shqipëri u bë pa dhunë e pa hakmarrje, por nuk mund të themi se shpirtrat janë tërësisht të pajtuar.

Prandaj, u bëjmë thirrje atyre që na udhëheqin në sferën politike që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit për të mirën e atdheut tonë të përbashkët, në mënyrë që zhvillimi i demokracisë të jetë sa më i shpejtë dhe i drejtë. Në këtë pike, një shembull i mirë janë bashkësitë fetare, të cilat kanë trashëguar dhe përjetojnë një dialog të përzemërt dhe harmonik, edhe pse ky dialog duhet të ruhet e të mbrohet gjithnjë nga prirjet fondamentaliste. Udhëheqësit fetarë të Shqipërisë kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë dialogun ndërfetar, si një vlerë të rrënjosur brenda kulturës së popullit tonë. Kjo ka ndodhur në momente të vështira të historisë sonë e sidomos në momentin e formimit të shtetit dhe të shkëputjes nga pushtimi i gjatë otoman, por ka vazhduar edhe më tej gjatë bashkëvuajtjes nën regjimin komunsit e, në ditët e sotme, në përpjekjen për të rindërtuar institucionet fetare. Ky shembull duhet të nxisë edhe subjekte të tjera që të përpiqen për të gjetur rrugët e dialogut dhe mirëkuptimit për të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë 100-vjetor nuk mund të lëmë pa përmendur edhe plagën e rëndë të gjakmarrjes, e cila, përveçse merr jetë njerëzish, ndryn në urrjetje dhe izolon familje të tëra. Mosvlerësimi i jetës dhe mbizotërimi i instiktit egoist të hakmarrjes janë plagë që kërkojnë një reflektim mbarëshoqëror. Askush nuk ka të drejtë të hakmerret e aq më pak të marrë jetën e dikujt[7]. Insitucionet fetare dhe ato ligjore kanë për detyrë të punojnë pa u lodhur, duke mbështetur nismat e ndërmarra në këtë mision pajtimi kaq të rëndësishëm. Nuk mund të mos përmendim rolin e rëndësishëm që ka luajtur Kisha Katolike në këtë proces pajtimi në të kaluarën, por që e bën edhe në ditët e sotme. Pajtimi është një akt hyjnor, sepse me anë të faljes njeriu i bën tjetrit atë që ka dëshiruar vetë nga Zoti dhe nga të tjerët.

Megjithatë, kjo nuk mund të vijë vetvetiu pa një edukim për jetën, edukim i cili e vlerëson jetën nga çasti i ngjizjes deri në atë të vdekjes. Edhe aborti është vrasje, edhe eutanazia është vrasje. Klinikat abortive, vrasjet e asistuara janë një fenomen në rritje. Kisha Katolike në Shqipëri nxit institucionet e edukimit dhe ligjvënësit të mos e anashkalojnë faktin që jeta është e shenjtë nga momenti i ngjzjes e deri në mbarimin e saj natyror.

Vëmë re me shqetësim se është rritur edhe numri i vetvrasjeve. Jetën na e ka dhënë Zoti dhe ne jemi përgjegjës para tij për këtë dhuratë. Prandaj, “vetvrasja kundërshton prirjen natyrore të qënies njerëzore për të ruajtur dhe jetuar jetën e tij. Ajo është në mënyrë të rëndë në kundërshtim me dashurinë e drejtë ndaj vetvetes. Në të njëjtën kohë është edhe një fyerje ndaj dashurisë për të afërmin, pasi thyen padrejtësisht lidhjet e solidaritetit me familjen, kombin dhe njerëzimin, ndaj të cilëve kemi detyrime. Vetvrasja është kundër dashurisë së Hyjit të gjallë.”[8] Mbrojtja e jetës u takon të gjithëve dhe është një temë që mund të bashkojë rreth vetes të gjithë njerëzit me vullnet të mire, pavarësisht besimit apo bindjes politike.

Gjithashtu, rritja e fenomenit të drogave të ndryshme dhe alkoolit është një e keqe që ka përfshirë një numër jo të vogël të rinjsh, sidomos në qytetet e mëdha. Jo vetëm masat ligjore, por edhe edukimi për vlerësimin e vetvetes dhe të jetës do të bënin të mundur shkëputjen apo reflektimin e të rinjve që janë në rrezik nga lëndët narkotike.

3.Edukimi me të drejtën dhe ligjin

“Është detyrë e qytetarëve t’i japin ndihmën e tyre pushtetit civil për të mirën e shoqërisë në shpirtin e së vërtetës, drejtësisë, solidaritetit dhe lirisë. Dashuria dhe shërbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyra e mirënjohjes dhe nga rendi i dashurisë”[9]. Nga të krishterët dhe nga të gjithë njerëzit me vullnet të mirë kërkohet bindja ndaj autoriteteve civile dhe respektimi i ligjeve që ato nxjerrin në të mirë të qytetarëve. Mësimi i Kishës na thotë se “nënshtrimi ndaj autoritetit civil dhe bashkëpërgjegjësia për të mirën e përbashkët mbartin kërkesën morale të pagimit të taksave, ushtrimin e të drejtës së votës dhe mbrojtjen e paqes”[10]. Nuk mund të harrojmë porosinë e letrës së Diognetit, e cila thotë se “të krishterët banojnë në atdheun e tyre, por si shtegtarë; marrin pjesë në jetën publike, por të shkëputur nga gjithçka, si të ishin të huaj…U binden ligjeve në fuqi, por me jetën e tyre i tejkalojnë këto ligje…”[11].

T’i shërbesh e ta duash atdheun lidhet edhe me edukimin me ligjin dhe respektimin e tij. Kjo do të thotë se, para autoriteteve politike shtrohet nevoja e hartimit të ligjeve të drejta që respektojnë rendin natyror dhe traditat më të mira të vendit tonë e, nga ana tjetër, qytetarëve u lind detyra e zbatimit të ligjit.

Vetëdija dhe ndërgjegjja për zbatimin e ligjit do të shmangnin, madje do të eliminonin dukuri të tilla, si korrupsioni, mafia, klientelizmi, nepotizmi etj. Në fushën ekonomike do të krijonte mundësinë e barabartë për të gjithë që të merrin pjesë në ndarjen e të mirave; në fushën e arsimimit dhe të punësimit, për mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë. Madje, në dy sektorë jetikë, sikurse janë arsimi dhe shëndetësia, ku korrupsioni në këto vite tranzicioni ka qenë shumë i pranishëm, një punë më e kujdesshme dhe më efektive në luftën kundër tij do të rriste dukshëm cilësinë e jetës. Jo rrallëherë logjikat monopliste në ekonomi, informaliteti si dhe puna e zezë apo ajo e nënpaguar krijojnë një humnerë midis të pasurve dhe të varfërve, midis atyre që kanë "gjithçka" dhe atyre që diskutojnë bukën e gojës për familjet e tyre. Një angazhim i të gjithëve për respektimin e rregullave do të çonte patjetër në një jetë më të mirë për të gjithë. Nxisim gjithashtu nga ana e shtetit dhe insitucioneve të tjera që të punohet palodhur për zbutjen e varfërisë e sigurimin e një jete normale për të gjithë.

Gjithashtu, “qytetarët janë të detyruar në ndërgjegje që të mos i ndjekin ato ligje të autoriteteve civile që janë në kundërshtim me kërkesat e rendit moral, me të drejtat themelore të personit dhe me mësimet e Ungjillit.”[12] Logjika e mosbindjes civile në rastin kur ligjet dhe rregullat kundërshtojnë ligjet e pashkruara të ndërgjegjes e të arsyes apo të vërtetat hyjnisht të zbuluara përbën një të drejtë të pacënueshme e të patjetërsueshme të personit, të drejtë të cilën ne si ipeshkëvinj bëjmë thirrje që ta ushtrojnë të gjithë.

4.Drejt Europës

Të dashur vëllezër motra! Për shkaqe të ndryshme historike, vendi ynë u shkëput nga familja europiane. Për shumë shekuj, ne ishim pjesë e atij qytetërimi që po merrte hov e po formësohej në shkollat, universitetet, katedralet dhe manastiret e Europës. Nuk mund të harrojmë se “kultura europiane ka lindur […] nga takimi midis besimit në Hyjin të Izraelit, arsyes filozofike të grekëve dhe mendimit juridik romak. Ky takim i trefishtë formon identitetin e brendshëm të Europës.”[13] Në këto njëzet vjet pas rënies së komunizmit janë bërë përpjekje për rihyrjen në këtë familje, por ende mbetet shumë rrugë për t’u bërë. Prandaj, ne jemi të bindur se sfida e së ardhmes së afërt është ajo e kthimit të plotë të timonit të anijes shqiptare drejt Europës, e cila, para se të jetë një realitet gjeografik apo politik, është një realitet shpirtëror që gjen te krishtërimi një nga rrënjët e saj më të fuqishme. Kësisoj, ne inkurajojmë intelektualët katolikë, por edhe ata jokatolikë që e kanë për zemër këtë aspekt të atdheut tonë të mos mbyllen në interesat e tyre personale e private, por të jenë qytetarë veprues dhe të përgjegjshëm për të mirën e vendit. Atyre u takon që të marrin angazhime në jetën politike dhe shoqërore të vendit, duke i dhënë kësaj jete shpirt dhe gjallëri e duke sjellë në proceset demokratike dhe shoqërore të Shqipërisë një frymë të re.

Në këtë pike, edhe mediat kanë një rol të rëndësishëm. Ato janë aeropagët modernë[14] të kohës sonë, ku njerëzit rrahin mendimet e tyre, tregojnë dëshirat dhe aspiratat e tyre. Ne si barinj të Kishës Katolike në Shqipëri inkurajojmë jo vetëm mediat tona katolike, por edhe të gjithë personat me vullnet të mirë, veprues në botën gjithnjë e më të përparuar të komunikimit që të angazhohen në promovimin e një kulture respekti, dialogu dhe miqësie[15].

Prania dhe roli i virtytshëm i mediave do t’i lehtësonte e përshpejtonte proceset demokratike në vend.

5.Një mesazh për të rinjtë

Nuk mund ta përfundojmë këtë këtë letër pa ju drejtuar juve të dashur të rinj. Koha që ju po jetoni është koha e ëndrrave për të ardhmen, një e ardhme që ju duhet ta ndërtoni çdo ditë me përkushtim e ndershmëri. Ju jeni e ardhmja e shoqërisë, e atdheut tone dhe e Kishës. Entuziazmi juaj, dëshirat tuaja, freskia dhe bukuria e ëndrrave tuaja janë shenjat e dhuratave të Hyjit. E dimë dhe jemi të vetëdijshëm se shpesh këto dëshira dhe ëndrra përplasen me vështirësi të shumta. Por ne ju bëjmë thirrje të shikoni përpara dhe ta jetoni jetën në plotësinë e saj të lidhur me Krishtin, i cili “asgjë nuk heq e gjithçka jep”[16]. Nëse në shumë vende të Europës popullsia është plakur shumë, në vendin tonë ende kemi një popullsi shumë të re. Kjo do të thotë se mbi ju, të dashur të rinj, bie një përgjegjësi e madhe, që ta doni vendin tonë e të angazhoheni për të. Mos harroni asnjëherë sakrificat e shumta që kanë bërë të parët tanë, traditat dhe virtytet më të bukura të trashëguara prej tyre. Pa virtyt nuk ka atdhe[17]. Është detyrë e juaja të bëheni mbartës të kësaj trashëgimie dhe më vonë përcjellës të saj në brezat që do të vijnë. Kjo është e mundur nëpërmjet një kulture pune dhe përpjekjeje serioze, në mënyrë të veçantë në angazhimin arsimor dhe kulturor duke luftuar kështu analfabetizmin dhe dembelizmin. Krijimi i personalitetit dhe identitetit njerëzor kalon domosdoshmërisht nëpërmjet dashurisë për dijen e të vërtetën. Jini njerëz të virtytshëm, shërbejini atdheut tonë të dashur, mos e braktisni atë! Atdheu ka nevojë për ju.

Pajtores së Shqipërisë, Nanës së Këshillit të Mirë, i lutemi e i besojmë të ardhmen e vendit tonë dhe jetën e të gjithë shqiptarëve. Ajo Nanë e dashur ndërmjetësoftë pranë Birit të saj, që shqiptarët të kenë gjithmonë lirinë e ta duan njëri-tjetrin me një dashuri të vërtetë, në mënyrë që secili prej nesh të angazhohet për një Shqipëri me Zotin e për njeriun!

Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Tiranë, më 3 maj 2012

Festa e Apostujve Filipit dhe Jakobit

Ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike të Shqipërisë

 

[1] Letra Porta fidei (Dera e fesë) është një dokument me anë të të cilit Papa Benedikti XVI ka shpallur një vit kushtuar rizbulimit të besimit të krishterë. Ky vit do të nisë me datë 11 tetor 2011.

[2] Katekizmi i Kishës Katolike, 2199.

[3] Koncili II Vatikan, Kusht. Ap. Gaudium et spes, 12: AAS 58 (1966) 1034.

[4] Gjon Pali II, Nxitja Ap. Christifideles laici, 40; AAS 81 (1989).

[5] Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, f. 213.

[6] Katekizmi i Kishës Katolike, 2212.

[7] Dal 20,13; Mt 5,21-22

[8] Katekizmi i Kishës Katolike, 2281

[9] Katekizmi i Kishës Katolike, 2239.

[10] Katekizmi i Kishës Katolike, 2240.

[11] Letra drejtuar Diognetit, 5, 5. 10; 6,10.

[12] Katekizmi i Kishës Katolike, 2242.

[13] Benedikti XVI, Fjalimi para Parlamentit gjerman, 22 shtator 2011.

[14] Gjon Pali II, Mesazhi për ditën XXX botërore të komunikimit shoqëror, 19 maj 1996.

[15]Krh. Benedikti XVI, Mesazhi për ditën XLIII botërore të komunikimit shoqëror, 24 maj 2009.

[16] Benedikti XVI, Homilia e fillimit të shërbesës papnore, 24 prill 2005.

[17] Benedikti XVI, Homilia e mbajtur gjatë meshës në Havana (Kubë) në Sheshin e Revolucionit, 28 mars 2012.








All the contents on this site are copyrighted ©.