2017-11-27 11:57:00

Papa Françesku arriti në Mianmar, i pritur nga autoritetet e Jangonit


Papa Françesku arriti rreth orës 13.20, me orën vendase, në aeroportin ndërkombëtar të Jangonit, në Mianmar. Filloi, kështu, shtegtimi i 21-të apostolik, që më pas do të vijojë në Bangladesh. Papën e pritën, në bordin e avionit, nunci apostolik, imzot Paul Tschang-In-Nam dhe kryetari i protokollit. Më pas, pritja zyrtare nga ministri i Presidentit të Republikës, Htin Kyaw. Të pranishëm, ipeshkvijtë e Mianmarit, rreth njëqind fëmijë dhe disa grupe etnike me veshje tradicionale. Pritja parashikonte vetëm parakalimin e Rojës së nderit, pa fjalime.

Pas kësaj feste të vogël gazmore, Papa u nis drejt kryeipeshkvisë së Jangonit, rezidenca ku do të qëndrojë gjatë gjithë vizitës në Mianmar.  Pastaj, kremtimi i Meshës private, dreka dhe disa çaste prehjeje, pas një shtegtimi kaq të gjatë.

Nga avioni, që e çonte në Mianmar, Papa i dërgoi telegrame urimi  autoriteteve të vendeve, mbi të cilat shtegtonte. Në mesazhin drejtuar Presidentit të Republikës italiane, Mattarella, Françesku shkruan se “lutet për popullin italian, që të mund ta shikojë ardhmërinë me besim e shpresë, duke i shërbyer së mirës, me vëmendje ndaj nevojave të të gjithë qytetarëve”.

“Në çastin kur largohem nga Roma, për të shkuar në Mianmar e Bangladesh, si shtegtar i paqes, për të inkurajuar - shkruan Papa -  bashkësitë katolike të vogla, por plot gjallëri,  është kënaqësi për mua, i dashur President,  t’ju drejtoj përshëndetjen time plot respekt”.

Telegrame pëshëndetjeje morën nga Papa edhe autoritetet e Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë, Turqisë, Gjeorgjisë, Azerbaixhanit, Turkmenistanit, Afganistanit, Pakistanit e Indisë.

Ndërkaq makina me të cilën vijoi udhëtimin Papa arriti në kryeipeshkvi, ku po e prisnin rreth njëqind vetë me veshje tradicionale, ndërsa një mori njerëzish qenë radhitur në dy anët e rrugës. Françesku mundi të shikojë manifestet dhe afishet, në të cilat shkruhej “Mirë se erdhe, misionar i paqes dhe i dashurisë!” E, pranë portretit të tij vigan, edhe figurat e Bazilikës së Shën Pjetrit  dhe Pagodës së artë të Jangonit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.