2017-11-26 09:00:00

Koha, në jetën e të krishterit


Me ketë të  Diele të 34-të gjatë vtiti kishtar, të cilën Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret, përfundon viti liturgjik, për t’ia lënë vendin viti të ri kishtar që fillon me Kohëne Ardhjes, që do të nisë të dielën e ardhshme, më 3 dhjetor.

Në sytë e njeriut, koha duket thjesht si një armik mizor, që me vdekjen shkatërron e humbet gjithçka kemi më të dashur. Por për ata, që feja ua ka hapur sytë, si për shembull, i verbëri i rilindur (shih Gjn 9,1-41), koha është monedhë e çmuar, që duhet ta shpenzojmë me urti për “të fituar” jetën e plotë, përtej kohës dhe hapësirës.

Këtë na zbulojnë disa shembëlltyra të Jezusit si ajo e talenteve (Mt 25, 14-30), ajo e thesarit të fshehur në arë dhe e perlës së çmuar (Mt 13, 44-45). Janë përfytyrime të asaj jete të amshuar për të cilën ia vlen të japësh gjithçka. Jezusi, mishërimi i Zotit, nuk u kufizua në tregimin e shembëlltyrave. Me jetën e vet na tha si ta kalojmë kohën mbi këtë tokë. Duhet ta ndjekim me jetën tonë, t’i përngjajmë me vepra, me shpresën se Shpirti Shenjt do të na e shndrisë mendjen për këtë. Prandaj pagëzohemi e krezmohemi e vazhdimisht, ushqehemi me Korpin e Gjakun e Krishtit në tryezën eukaristike.

Viti liturgjik, duke filluar prej Pashkëve, synon të na paraqesë nga e diela në të diel, krejt misterin e Krishtit, gjithë jetën e Tij, që përmes Sakramenteve, edhe jeta jonë t’i përngjajë: sot, me pjesëmarrjen e mundimeve të Krishtit në kryq, nesër, me dhurimin e vetvetes, pasnesër, me pjesëmarrjen në lavdinë e Tij. Ky është kuptimi i kungimit eukaristik: të ushqehemi me Krishtin për të jetuar si Ai; në gjurmët e Marisë e të gjithë shenjtorëve, modele heroike të ndjekjes së Fjalës së Zotit bërë njeri, që tani jetojnë në lavdi e ndërhyjnë për ne pranë Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.