2017-11-25 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “A”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë e të fundit gjatë vitit kishtar ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjik të kishës, të cilën të diele, Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret. Pra, Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut. 

Ja pra, festa e Krishtit Mbret, apo e diela e fundit e këtij viti liturgjik 'A', është bartëse e mesazhit të shpresës për të gjithë ne që duam ta besojmë e ta jetojmë Fjalën e Zotit. Jezusi premton se do të vijë si mbret i lavdishëm, për të mbyllur historinë tonë, si dhe atë të botës mbarë, e për të hapur kalimin e mistershëm në jetën e amshuar në Hyjin. 

Kjo festë e re liturgjike, siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925, e mbyll vitin kishtar me një vizion të Krishtit Mbret të gjithësisë . Në qendër të skenës së kësaj feste, liturgjia e Fjalës e posaçërisht Ungjilli na paraqet Krishtin, Alfa e Omega, të ulur mbi fronin e vet të madhërishëm, si Zotërues i historisë e i mbarë njerëzimit. Ai gjykon me mëshirë e në të vërtetë, Ai i ndanë të mirët prej të këqijve si aktin e mbramë të mbretërisë së tij tokësore e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme Hyjnore, që ofron falje e shpëtim.

Pra, në këtë të diele të fundit të vitit liturgjik (kishtar), Shën Mateu në pjesën e Ungjillit na paraqet Birin e njeriut, Krishtin Zot, në madhërinë e tij lavdishme. Ai është alfa e omega, fillim e plotësim i historisë: liturgjia e Fjalës së Zotit kësaj radhe përqendrohet mbi mbarimin e botës, mbi pikën omega. Një poet thoshte se “jeta kuptohet duke e shikuar mbarimin e saj”, ne duke parafrazuar mund të themi se: “kuptimi i historisë kuptohet duke mbajtur para sysh kulimin e saj”. Mbarimi është edhe caku i jetës.

E pikërisht këtë bënë Shën Mateu ungjilltar, duke na propozuar në pjesën ungjillore të kësaj së diele, fjalimin e Jezusit mbi “gjyqin universal”, mbi gjyqin e mbramë. Epilogu i jetës tokësore i Mësuesit: Krishti, të cilin njerëzit e dënojnë dhe refuzojnë, lartohet mbi ta si gjykatësi suprem. Në vdekjen e tij tragjike, Jezusi do të tregohet si Zotëri e sundues i historisë, si mbret i gjithësisë, si gjykatës i të gjithëve.  Mirëpo, paradoksi i krishterë është se Gjykatësi është një bari, bariu është Qengji, gjyqi e gjykimi është mëshira.: “në mbarim do të gjykohemi mbi dashurinë” thotë Shën Gjoni i Kryqit.

Të reflektojmë mbi gjykimin e Zotit, që sot kujtohet gjithnjë më rrallë, madje edhe në mjediset teologjike. Njerëzve nuk u pëlqen t’u kujtosh se ka një gjyq hyjnor, se do të vijë dita, kur të gjithë do të dalim para Gjykatësit të amshuar, i cili – na kujton Kisha -kur gjykon, interesohet shumë për njeriun. Gjykimi i Tij hyjnor nuk është akt dënimi për njerëzimin, por akt hiri, ilaç që shëron, mjekim mëshire e përdëllimi. Duhet, na porosit Kisha, të reflektojmë shpesh, sa jemi ende në shtegtim mbi këtë tokë, për Gjyqin e mbramë, gjykimin dhe Gjykatësin, pa frikë se prania e Tij do të na e zbehë gëzimin e të jetuarit. Gjykatësi i amshuar është burim gëzimi, prandaj nuk e zhdukë kurrë gëzimin nga jeta e njeriut. E prandaj duhet kujtuar shpesh edhe si Gjykatës i amshuar. 

Liturgjia pra na fton të reflektojmë për Mbretërinë e Zotit, që është e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.

                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 34, 11-12. 15-17) 
Ju jeni grigja ime: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta shërojë e mbështjellë, të ligështuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruajë: do t’i kullosë me drejtësi. 
Kurse ty, o grigja ime, kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të gjykojë me drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.” Fjala e Zotit!

Psalmi 23 (22)
Ref: Hiri dhe mirësia jote do të më përcjellin, o Zot.

_____________________________

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën 
e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Kor 15, 20-26. 28) 
Biri do t’ia nënshtrojë mbretërinë Atit, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Korintasve.
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! 
Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit! 

V Ungjilli (Mt 25, 31-46)
Do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm e do t’i ndajë njërin prej të tjetrit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. 
Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ 
Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ 
Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’ 
Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ 
Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.