2017-11-25 00:00:00

Kisha kumton të vërtetën e Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga dashuria që njeh historia


Kisha, këtë të diele kumton të vërtetën e Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë që njeh historia. Vdekja e Jezus Krishtit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë e njerëzimit: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës dhe shpall në solemnitetin e Krishtit Mbret.

Krishti Mbret i universit është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë hjerarkia e Kishës, çdo karizëm e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, jemi në shërbim të sundimit të Tij. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë sepse manifestohet mbi kryq: Jezusi i përbuzur e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur, pohon Ungjilli i kësaj feste, hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të Drejtit të pafajshëm: e sheh të kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të thotë të rrish me Krishtin, sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu lavdia hyjnore tashmë bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të të kryqëzuarit. 

Në Jezusin e kryqëzuar realizohet zbulesa më e madhe e mundshme e Hyjit në këtë botë, sepse Hyji është dashuri e vdekja në kryq është akti më i madh i dashurisë në mbarë historinë. E pra, mbi unazën kardinalore që do t’u dorëzoj pas pak anëtarëve të rinj të Kolegjit kishtar, paraqitet pikërisht kryqëzimi. Ky, të dashur vëllezër, do të jetë për ne ftesë e përhershme, që do të kujtojmë se cilit Mbret i shërbejmë, mbi cilin fron është lartuar e si qëndroi besnik deri në fund të fundit, për të fituar mbi mëkatin e mbi vdekjen me forcën e dashurisë e të mëshirës hyjnore. 

Kisha, pra, është e thirrur t’ i shërbejë besnikërisht të së vërtetës së Krishtit, që vdiq e u ngjall për shëlbimin e njerëzimit mbarë. “Kisha është rojtare e misterit të Krishtit, plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës, sepse është fjala për dhuratën më të lartë që ka marrë, pa kurrfarë merite, dhuratë të cilën është e thirrur t’ia ofrojë falas njerëzimit të të gjitha epokave, për t’i hapur kështu horizontin e domethënies së shëlbimit. Nuk është filozofi, s’është as dije, ndonëse i përfshin si njohjen, ashtu edhe dijen. Është misteri i Krishtit; është vetë Krishti, Fjala e Hyjit, që u mishërua, vdiq e u ngjall e u bë Mbret i gjithësisë. 

E si mund të mos entuziazmohemi e të mos ndjejmë një mirënjohje të thellë që u lejuam të sodisim shkëlqimin e kësaj zbulese? Si mund të mos e ndjejmë gëzimin, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë për t’i shërbyer këtij Mbreti, për ta dëshmuar me jetë e me fjalë pushtetin e tij? Kjo është, në mënyrë të veçantë, detyra jonë, të nderuar vëllezër besimtarë: t’i kumtojmë botës vërtetësinë e Krishtit, shpresë për çdo njeri dhe për mbarë familjen njerëzore . 

Me këtë mision lidhet ngushtë impenjimi për paqen ndërmjet të gjithë njerëzve, si shenjë e paqes që Jezusi erdhi t’ia sillte botës përmes kryqit. “Kisha është ajo pjesë e njerëzimit në të cilën tashmë duket sundimi mbretëror i Krishtit, që gjen shprehjen e vet tek paqja. Është Jeruzalemi i ri, akoma i papërkryer, sepse shtegtar në kohë, por i aftë për të parashijuar, në një farë mënyre, Jeruzalemin qiellor… Lutja për paqen dhe unitetin është misioni i parë e kryesor, që Kisha të jetë e fortë dhe e bashkuar simbol e mjet i unitetit për mbarë gjininë njerëzore” (krh Lumen gentium, 1)








All the contents on this site are copyrighted ©.