2017-11-24 13:14:00

Françesku: kishat tona të jenë kisha shërbimi, jo supermerkate


Vigjilencë, shërbim, vullnetariat: këto, tri fjalët, që Papa i nënvizoi në homelinë e Meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ishte homeli e frymëzuar nga Leximet Liturgjike: i pari, shkëputur nga Libri i Makabejve; i dyti, nga Ungjilli, sipas Lukës: që të dy, me temën e përbashkët të pastrimit të Tempullit. Ashtu si Juda Makabe dhe vëllezërit e tij e shugurojnë rishtas Tempullin e dhunuar nga paganët, kështu edhe Jezusi i dëbon tregtarët nga Shtëpia e Zotit, e shndërruar në strofkë hajdutësh.

Por - pyet Françesku - si mund të pastrohet Tempulli i Zotit? Përgjigjja është: “Përmes vigjilencës, shërbimit, vullnetariatit. Falas!”:

“Tempulli më i rëndësishëm i Zotit është zemra jonë - shpjegoi Papa - në shpirtin tonë banon Shpirti Shenjt. Po ç’ndodh në zemrën time? A kam mësuar të vigjiloj brenda vetes, që tempulli i zemrës sime të jetë vetëm për Shpirtin Shenjt? Ta pastroj tempullin, tempullin e shpirtit, e ta ruaj? Vërja mendjen zemrës sate! Vëzhgoje atë, që ndodh brenda saj. Shiko kush hyn e kush del! Ç’ndjenja i zjejnë përbrenda? Ç’ide! Ti, a flet me Shpirtin Shenjt? A e dëgjon? Vigjilo, prandaj! Vërja mirë veshin asaj, që ndodh në tempullin tonë, brenda shpirtit tonë!”.

Jezusi - vijoi Papa - në mënyrë krejt të veçantë, “është i pranishëm në të sëmurët, në njerëzit që vuajnë, në të uriturit, në të burgosurit”. E ka thënë Ai vetë:

“E unë e pyes veten: a di ta ruaj këtë tempull? A kujdesem për të? A i shërbej? A afrohem për t’i ndihmuar, për t’i veshur e për t’i ngushëlluar nevojtarët?” Shën Gjon Gojarti i qortonte ata, që jepnin shumë lëmoshë për ta stolisur, për ta zbukuruar tempullin fizik, por nuk kujdeseshin aspak për nevojtarët. I qortonte! E u thoshte: “Jo, kjo nuk është punë e mirë. Më parë shërbimi, pastaj stolitë”. E kjo do të thotë ta pastrosh tempullin, që janë të tjerët. E - vijoi Papa - “kur ne afrohemi për të bërë ndonjë shërbim, për të lehtësuar vuajtjet, për të ndihmuar, i ngjasim më shumë se kurrë Jezusit, i cili është aty, në shpirtin tonë!”.

Sjellja e tretë, që këshillon Ati i Shenjtë, është vullnetariati, shërbimi pa asnjë shpërblim, falas. Françesku shpjegon:

“Sa herë, me trishtim, hyjmë në një tempull, mendojmë për ndonjë famulli, një ipeshkvi, a nuk di se çka tjetër …  e nuk e dimë ku jemi: në shtëpinë e Zotit, apo në ndonjë supemerkat. Gjen aty fjalë që të kujtojnë pazarin, lexon listën e çmimeve për sakramentet… Në vend që të gjindej fjala vullnetariat, fjala falas, gjithçka . Po kjo fjalë shpesh mungon. Nësa duhet të kujtojmë gjithnjë se Zoti na shpëtoi, pa na kërkuar asnjë shpërblim, falas, pa kërkuar shpërblimin tonë – për të Tijin! Shpërblimin e Kryqit!

Françesku nuk harroi të bënte një vërejtje: “E po, o Atë, mund të thotë dikush, edhe paratë duhen, për të çuar përpara strukturat, për të mbajtur meshtarët etj. etj…”, e edhe të përgjigjej: “Ti jep falas, e Zoti do të bëjë çka mbetet. Zoti do ta bëjë, pa, dyshim, atë që mungon. Kishat tona, duhet të jenë kisha shërbimi, kisha falas”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.