2017-11-23 13:34:00

Papa: kolonizimet fshijnë kujtesën, indoktrinojnë të rinjtë


“Heqin lirinë, shuajnë kujtesën, indoktrinojnë të rinjtë”: këta janë tre treguesit e kolonizimeve kulturore e ideologjike të të gjitha kohëve. Papa, në homelinë e Meshës, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës, rikthehet tek ky argument, duke tërhequr vëmendjen për t’u ruajtur nga ajo që ndodh, sa herë lind mbi tokë ndonjë diktaturë kulturore e ideologjike, që s’ është tjetër, veç kolonizim. Mendoni - vërejti në vijim Françesku - për ata, që vendosën diktaturat në shekullin e kaluar në Evropë e edhe për shkollat e indoktrinimit, që lindën:

“U zhduk liria, historia e kujtesa e popullit u tjetërsuan e të rinjve iu imponua sistemi edukativ i fitimtarëve". Të gjitha diktaturat, të gjitha, bëjnë kështu. Edhe me doreza të bardha, disa: një komb, një vend, kërkon hua, e unë ta jap, por ti, ndërkaq, në shkollat e tua duhet të mësosh këtë e këtë e këtë… E të imponojnë edhe librat, që duhet të përdorësh, librat, që e shlyejnë fare gjithçka krijoi Zoti. E edhe si e krijoi. Sheshojnë larmitë, shlyejnë historinë: qysh në atë ças duhet që të gjithë të mendojnë kështu. Kush nuk mendon kështu, në rastin më të mirë, lihet mënjanë, madje nis edhe të persekutohet! Kështu ndodhi në Evropë - pohoi Papa - ku të gjithë ata, të cilët u kundërviheshin diktaturave genocide, persekutoheshin, kërcënoheshin, mohoheshin, humbisnin lirinë! Gjë që është një formë tjetër torture. E njëherësh me lirinë, kolonizimet ideologjike e kulturore zhdukin edhe kujtesën, duke e quajtur “përrallë”, “rrenë”, “ide e vjetëruar”, “mbeturinë  e së kaluarës” “zakon prapanik”.

Duke komentuar Leximet, Papa nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në ruajtjen e  kujtesës e të rrënjëve historike: “Ta ruash kujtesën: kujtesën e shëlbimit, kujtesën e popullit të Zotit, atë kujtesë, që e bënte të fortë fenë e popullit të persekutuar nga ky kolonizim ideologjik-kulturor”. Kujtesa të ndihmon të ngadhënjesh mbi çdo sistem të mbrapshtë edukativ. Të kujtosh vlerat, të kujtosh Historinë, të kujtosh çka mësuam. E pastaj, edhe nënën. Nënën, që fliste dy herë - fliste në gjuhën e etërve - në dialekt. E s’ka kolonizim kulturor, që mund të ngadhënjenjë mbi dialektin! Dhembshuria femërore e guximi burrëror, tipik për nënat, të shtyn të mendosh - vërejti Françesku -  se “vetëm forca e grave është e aftë t’i bëjë ballë kolonizimit kulturor!”. Janë ato, nënat e gratë, rojtare të kujtesës, të dialektit, të afta për të mbrojtur e për të ruajtur historinë një populli e - shtoi - të transmetojnë fenë, të cilën do ta shpjegojnë, pastaj, teologët.  Populli i Zotit eci përpara falë forcës së aradheve të grave të zonja, që ditën t’i ushqejnë bijtë e tyre me fe. Sepse vetëm ato, Nënat, dinë ta transmetojnë si duhet fenë, në dialekt! “Zoti na dhashtë gjithnjë hirin, në Kishë, të kemi kujtesën, të mos e harrojmë kurrë dialektin e etërve e të kemi gra guximtare!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.