2017-11-23 14:34:00

Papa, françeskanëve: përqafojini të gërbulurit e kohës sonë


“Hapini zemrat e përqafojini të gërbulurit e kohës sonë”: kështu u tha Papa Françesku rreth 400 anëtarëve të Familjeve Françeskane të Urdhërit të Parë e të Urdhërit të Tretë Rregulltar, që sot paradite mbushën plot Sallën Klementine të Pallatit Apostolik në Vatikan. Faleminderit për gjithçka bëni, sidomos për të më varfërit, theksoi Ati i Shenjtë, duke përshëndetur të pranishmit, por edhe gjithë vëllezërit françeskanë kudo nëpër botë. Quhen “të vegjël”, vërejti Papa, për vullnet të shën Françeskut, sipas logjikës së zhveshjes nga pasuritë e kësaj toke, për t’iu kushtuar tërësisht Zotit.

“Vogëlsia” françeskane, vend takimi me Zotin

         “Vogëlsia françeskane”, vijoi Papa Bergoglio, është vend takimi e bashkimi me Zotin:

         “Për shën Françeskun, njeriu nuk ka asgjë të vetën, përveçse mëkatit dhe vlen aq sa vlen para Zotit e asgjë më tepër”.

         Papa Françesku i këshilloi françeskanët të rrinë gjithnjë para Zotit si fëmija: të përvuajtur e plot besim në Hyjin, të vetëdijshëm se janë mëkatarë.

         “E kujdes nga mendjemadhësia shpirtërore – u tërhoqi vëmendjen Ati i Shenjtë – nga krenaria e farisenjve: është më e keqja e kësaj bote”.

         Përshpirtëria e vërtetë, shtoi Papa, është ajo, që na nxit t’ia kthejmë Zotit dhuratat e Tij, duke dalë për t’u takuar me të tjerët e për t’i bërë pjesë të jetës sonë.

“Vogëlsia” françeskane, vend takimi me gjithë burrat e gratë

         Kjo, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, do të thotë edhe të mos gjykohen të tjerët e të mos flitet keq për vëllezërit, pas shpine. Do të thotë të mos përdoret autoriteti për t’i nënshtruar të tjerët; të mos kërkojmë të na “i paguajnë” njëfarësoj, favoret që u bëjmë të tjerëve, ndërsa e konsiderojmë të zakonshëm favorin e të tjerëve për ne; do të thotë ta largojmë nga vetvetja zemërimin dhe shqetësimin për mëkatin e vëllezërve”.

         Pa mëshirë, u kujtoi Papa françeskanëve, nuk ka as vëllazërim e as “vogëlsi”, sepse është e vërtetë që drejtësia njeh të drejtat e secilit, por është mëshira ajo, që i kapërcen këto të drejta dhe nxit drejt bashkimit vëllazëror:

         “…sepse nuk janë të drejtat ato, që doni, por vëllezërit, të cilët duhet t’i prisni me respekt, mirëkuptim dhe mëshirë: vëllezërit janë të rëndësishëm e jo strukturat”.

         Papa i këshilloi françeskanët ta shqyrtojnë mirë stilin e jetesës, duke filluar nga shpenzimet për veshjen, tek gjithçka e konsiderojnë të nevojshme në kujdesin për vetveten, në përkushtimin për të tjerët, madje, edhe në marrëdhëniet vëllazërore. Në jetën tuaj, i nxiti Ati i Shenjtë, duhet të hyjnë “të vegjlit” e kohës sonë, ata që jetojnë në periferi, të privuarit nga dinjiteti e nga drita e Ungjillit. E lista e Françeskut ishte mjaft e gjatë:

         “…të mënjanuarit, burrat e gratë, që jetojnë nëpër rrugë, nëpër parqe e në stacione; mijëra të papunët, të rinj dhe të rritur; të sëmurët e shumtë, që nuk mund të mjekohen si duhet; të moshuarit e braktisur; gratë e keqtrajtuara; emigrantët në kërkim të një jete më të denjë”.

“Vogëlsia” françeskane, vend takimi me Gjithësinë

         Së fundi, një ftesë e veçantë për të mirën e Gjithësisë e të Tokës, “duke kapërcyer çdo llogari ekonomike e çdo romantizëm të paarsyeshëm”, duke kujtuar vazhdimisht lidhjen e ngushtë ndërmjet varfërisë dhe brishtësisë së planetit, kujdesin për gjithçka ka krijuar Zoti dhe opcionin për të varfërit:

         “Sot – përfundoi Papa Françesku – e dimë se kjo motra e nëna jonë rebelohet, pasi ndjehet e keqtrajtuar. Para përkeqësimit global të ambientit, ju kërkoj, si bij të Varfanjakut të Asizit, të hyni në dialog me krejt Gjithësinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.