2017-11-23 12:14:00

Burke: në Mianmar e Bangladesh, shtegtim apostolik në periferitë


Shtegtimi i 21-të apostolik ndërkombëtar, që do të bëjë Papa Françesku në Mianmar e Bangladesh nga 26 nëntori deri më 2 dhjetor, ishte në qendër të takimit, mbajtur dje paradite, në Vatikan. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, rikujtoi programin e shtegtimit, duke nënvizuar se Ati i Shenjtë do të çojë në të dy vendet aziatike, mesazhin e pajtimit, të faljes e të paqes. Ndërmjet tjerash, njoftoi se do të ketë edhe një takim privat, më 30 nëntor, me kreun e ushtrisë birmane, gjeneralin Min Aung Hlaing. Greg Burke kujtoi edhe se, gjatë takimit ndërfetar dhe ekumenik  për paqen, në program për 1 dhjetorin e ardhshëm, në Dhaka të Bangladeshit, do të jetë i pranishëm edhe një grup refugjatësh rohingya.

Para se të kremtojë Meshën Shenjte në Dhaka, disa fëmijë rrugësh do t’i dhurojnë Papës një palë sandale, realizuar me duart e tyre. Ndërmjet atyre, që do të marrin pjesë në grupin shoqërues të Papës - deklaroi më pas Burke - do të jetë edhe një nëpunës laik i Tipografisë së Vatikanit. Në të dy vendet aziatike, Papa Françesku do të udhëtojë me një makinë të mbyllur, jo të blinduar. Në Mianmar, do të strehohet në kryeipeshkvi, ndërsa në Bangladesh, në selinë e nunciaturës. Për shtegtimin apostolik të Papës në Mianmar e Bangladesh, të dëgjojmë Greg Burken, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë:

Përgjigje: - Në të dy vendet, ky është shtegtim drejt periferive. Papa Françesku flet shumë për periferitë, e kjo është vërtet periferi: pak për distancën, e pak edhe për bashkësinë katolike shumë të vogël, në të dy vendet.

Pyetje: - Shtegtim në vende, që duhet të përballojnë sfida të rëndësishme. Ndërmjet tyre, varfërinë…

Përgjigje: - Bangladeshi vetëm kohët e fundit kaloi nga vend i pazhvilluar, në vend  “në rrugë zhvillimi”. E është edhe më i fortë, natyrisht, mesazhi i shpresës, që arrin nga Papa, kur shkel në troje kaq të varfëra, si këto. Por është edhe një element tjetër, shumë i rëndësishëm, ai ndërfetar. Mianmari, në pjesën më të madhe, është vend budist. E Bangladeshi, zyrtarisht islamik. Edhe këtu Papa dëshiron të dëshmojë përsëri, vlerën e fesë për paqen e pajtimin.

Pyetje: - Papa shkon edhe për ta përforcuar në fe bashkësinë katolike të këtyre dy vendeve. Bëhet fjalë për pakica, por jo pa rëndësi në indin, si të Bangladeshit, ashtu edhe të Mianmarit…

Përgjigje: - Është shtegtim apostolik dhe ka një aspekt shumë të rëndësishëm në nivel baritor. E kemi parë shpesh Papën duke shkuar kaq larg, për të takuar bashkësi kaq të vogla. E kjo, natyrisht, është ndihmë e madhe, mënyrë për t’i përforcuar në fe.

Pyetje: - A mund të na i kujtoni disa nga takimet kryesore të të dy shtegtimeve, të Mianmarit e të Bangladeshit?

Përgjigje: - Në Mianmar do të jetë shumë i rëndësishëm takimi me budistët. Në Bangladesh, ai ndërfetar. Rikthim në temën e marrëdhënieve paqësore ndërmjet feve, ky. Është interesante të kujtojmë se në të dy vendet, Papa e përfundon vizitën duke u takuar me të rinjtë. Edhe nga bashkësitë e vogla katolike, mund të lindin shpresa të mëdha!








All the contents on this site are copyrighted ©.