2017-11-21 14:31:00

Françesku: në Bangladesh në shenjën e pajtimit, faljes e paqes


Françesku përgatitet për takimin e shumëdëshiruar me popullin e  Bangladeshit, vend ku do të shkojë nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor. Në një videomesazh, Papa i përshëndet miqësisht të gjithë banorët  e vendit aziatik: “Vij  si shërbëtor i Ungjillit të Jezu Krishtit - shton Papa - për të shpallur mesazhin e Tij të pajtimit, të faljes, të paqes". Ati i Shenjtë u drejtohet në mënyrë të veçantë katolikëve, pak më shumë se 0,4% në gjirin e 150 milionë banorëve: “Vizita ime - pohon Françesku - dëshiron të përforcojë fenë e bashkësisë katolike të Bangladeshit në Zotin e në dëshmimin e Ungjillit, që i mëson dinjitetin çdo burri e çdo gruaje e kërkon t’ia hapim zemrat të tjerëve, posaçërisht më të varfërve e më nevojtarëve".

 Mirëbesim e respekt reciprok

Papa i drejtohet edhe gjithë popullit të shtetit aziatik: “Dëshiroj ta takoj mbarë popullin tuaj. Në mënyrë të veçantë, liderët fetarë në Ramna". “Ne jetojmë në një kohë, kur besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë e ndjejnë gjithnjë më shumë nevojën e thellimit të mirëkuptimit dhe të respektit si dhe dëshirën për ta mbështetur njëri-tjetrin, si anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore. Sepse të gjithë jemi bij të Zotit”. Françesku i falënderon - në përfundim - ata, që po angazhohen për përgatitjen e vizitës së tij në Bangladesh: “U kërkoj të gjithëve të luten, që ditët në të cilat do të jem me ju të bëhen burim shprese e inkurajimi për mbarë popullin e vendit. Lutem edhe që Zoti t’ju japë ju e familjeve tuaja,  bekimin e gëzimit e të paqes. Mirupafshim së shpejti!”.

Para shtegtimit në Bangladesh, Papa Françesku do të shkojë në  Myanmar, më 27 deri më 30 nëntor.








All the contents on this site are copyrighted ©.