2017-11-20 18:43:00

Pavarësia e Katalonjës. Kardinali Blázquez Pérez: “fakt i rëndë”


Deklarata e pavarësisë së njëanshme e 27 tetorit të kaluar ka kuptimin e cënimit të rendit kushtetues që, si spanjollë, e vendosëm dyzet vjet më parë. Kështu u shpreh kryeipeshkvi i Valladolid e president i Konferencës ipeshkvnore spanjolle, kardinali Blázquez Pérez, në fjalimin e mbajtur  para sivëllezërve spanjollë, mbledhur sot në Asamblenë e tyre plenare, në Madrid.

“Mendojmë se Deklarata e shkëputjes është fakt i rëndë, që e trazon bashkëjetesën tonë e shkon shumë përtej mosmarrëveshjeve ndërmjet formacioneve politike - deklaroi kardinali në fjalën e hyrjes së mbledhjes - rimarrë nga agjencia Sir. Në “Kushtetutë”, “fryt i konsensusit të të  gjithëve”,  dëshira  e  pajtimit, e pranuar  nga shumica, u shndërrua në bazë për rregullimin themelor të bashkëjetesës sonë. E pikërisht për këtë arsye, shkëputja na trishtoi e na shqetësoi: është e kuptueshme që mund të lindte nevoja për ta përditësuar Kushtetutën, por ajo vetë i përmban procedurat për realizimin e ndryshimeve të duhura.

Në gjithë këtë situatë, Kisha, që bashkëpunoi me sukses në tranzicionin politik, ndonëse zëri i saj nuk u dëgjua gjithnjë, dëshiron të kryejë misionin e pajtimit e të paqësimit. Ipeshkvij e meshtarë janë në shërbim të bashkimit kishtar, e, prej këndej, edhe të bashkëjetesës paqësore të qytetarëve, në atë pikë që dorëheqja jonë nga militanca politike lind nga dëshira që askush të mos e konsiderojë veten të huaj në bashkësinë e krishterë.

Kryetari i Ipeshkvijve spanjollë përfundoi duke e mbështetur “rikthimin e rendit kushtetues, sepse është pasuri e përbashkët, respektimin e ligjit,  përpjekjen e të gjithëve, që marrëdhëniet shoqërore, kishtare e familjare, të ndikuara negativisht nga këto ngjarje, të përtërihen nga respekti për lirinë e të gjithëve, nga besimi reciprok e harmonia paqësore. Sepse, bashkëjetesa në larmi është e mundur edhe në rrethanat e sotme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.