
Që nga data 15 nëntor, në Pallatin e Kongresve në Tiranë, ku po mbahet Panairi
i Librit 2017, janë të pranishëm edhe françeskanët me librat e tyre. Siç njofton Provinca
Françeskane Shqiptare, stenda e saj ndodhet në hollin kryesor, afër Shtëpisë Botuese
Toena e, mund të vizitohet nga ora 9.00 deri në orën 21.00. Panairi përfundon të dielën,
më 19 nëntor, në orën 20.00.
“Shkrimtarët
françeskanë – njofton Provinca - vijnë pranë jush përmes nji kolane të thjeshtë dhe
fort të çmueshme veprash, pasqyrim i historisë dhe i kulturës shqiptare. Në stendën
e Botimeve Françeskane do të gjeni veprat madhore të Át Gjergj Fishtës, Át Anton Harapit,
Át Marin Sirdanit, Át Justin Rrotës, Át Zef Pllumit, Át Donat Kurtit, Át Bernardin
Palajt, Át Shtjefën Gjeçovit, Át Vinçenc Prennushit, Át Jak Marlekajt, Át Daniel
Gjeçajt dhe shumë autorëve të tjerë françeskanë, që kanë lanë gjurmë të çmueshme në
historinë tonë kombëtare.
Lahuta e Malcís ket vit do të ekspozohet për publikun me parathanje të Át Zef Pllumit
dhe me fjalor shtjellues të Át Benedikt Demës. Lahuta, botim origjinal pajis me parathanje
dhe fjalor shtjellues, tregon randësinë dhe vlerën e këtij botimi.
Lexuesi do të ketë mundësi me gjetë vepren e plotë të At Zef Pllumit dhe përmes saj
të njohë vuejtjen e Klerit katolik dhe të popullit shqiptar – vijon nota e Provincës
françeskane.
Po ashtu do të keni mundësi të gjeni të plotë koleksionin e Hyllit të Dritës 2006-2017.
Kushdo mund ta porosisë për me e pasë në bibliotekën personale.
Në panair keni për të gjetë serinë bibliografike, Hylli i Dritës, LEKA, Albania, Shkëndija,
Shêjzat etj, përpilue prej studiuesit të njoftun Willy Kamsi, bibliografinë e librit
antik të bibliotekës françeskane, fjalorët e Frang Bardhit dhe Francesco Maria Da
Lecce, studimet e Bardhyl Demiraj përmbi Gjon P. Nikollë Kazazin, Kuvendin e Arbënit,
studime historike të Italo Sarro-s për Shqipninë e veriut. Nuk do të mungojnë tri
veprat e vlerta të Át Vinçenc Malajt: ‘Kuvendi i Arbënit’ dhe dy vëllimet me titull
‘Të dhana Albanologjike’.
Në stendë do të mund të gjeni përkthimin e dr. Edmond Malajt, ‘Situata të Kishës në
Shqipërinë paraturke’. Natyrisht nuk do të mungojnë kontribute të vlerta të studiuesve
të rij rreth shkrimtarëve françeskanë.
Botimet Françeskane bajnë pjesë në projektin kultural që Provinca Françeskane Shqiptare,
ka ngritë në kambë si shërbim kundrejt nevojëve urgjente për përtrimjen e kensishme
të kulturës shqiptare”.
E duke përfunduar notë, françeskanët e Shqipërisë i ftojnë të gjithë shqiptarët
ta vizitojnë stendën e tyre, për pasurimin e bibliotekave personale.