2017-11-16 14:04:00

Papa për Cop23: stil jete kundër indiferencës, në favor të ekologjisë


Kënaqësi për marrëveshjen, por edhe shqetësim i thellë për rezultatet e impenjimeve të marra, nëse nuk do të respektohen nga të gjitha shtetet. Kështu, Papa Françesku në mesazhin për Konferencën e OKB-së kushtuar ndryshimeve të klimës, Cop23, që vijon në Bon të Gjermanisë.

Ati i Shenjtë i shkruan kryeministrit të Ishujve Fixhi, Frank Bainimarama, i cili kryeson konferencën. Duke përmendur “Marrëveshjen historike të Parisit”, nënshkruar në dhjetor 2015 nga më se 195 vende, nga e cila dëshiron të dalë presidenti amerikan Trump, Papa kujton se ajo “tregon një rrugë të qartë tranzicioni për të ulur dhe eliminuar konsumin e karbonit, duke inkurajuar solidaritetin e duke pasur parasysh lidhjet ekzistuese ndërmjet ndryshimeve të klimës e varfërisë”. Nga Boni, nënvizon Françesku, nevojiten “vija udhëheqëse, rregulla dhe mekanizma institucionale” që të arrihen “objektivat e ndërlikuara” të vendosura në Paris.

Prandaj, këshillon Papa, duhet të shmangen katër qëndrime, të cilat nuk e ndihmojnë përballimin e pasojave të ndryshimit të klimës. Së pari, nuk duhet mohuar problemi, nënvizon Ati i Shenjtë; pastaj, nuk duhet të jemi indiferentë, por as të dorëzohemi e të ngremë duart para këtyre pasojave; së fundi, duhet të heqim dorë nga zgjidhjet e papërshtatshme, pa ngulur këmbë së koti në to.

“Nga ana tjetër – thekson Papa në mesazh – nuk mund të kufizohemi vetëm në përmasën ekonomike dhe teknologjike: zgjidhjet teknike janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme”. E kemi për detyrë, vijon Ati i Shenjtë, të marrim parasysh “ndikimet etike dhe shoqërore të paradigmës së re të zhvillimit e të përparimit në një periudhë kohore të shkurtër, të mesme e të gjatë”.

Për Papën Françesku i duhet kushtuar kujdes i veçantë “edukimit dhe krijimit të një stili jetese të rëndësishëm për ekologjinë e gjithanshme”, në mënyrë që të gjithë të bashkëpunojnë pa vonesë për zgjidhjen e problemeve, shkaktuar nga ndryshimet e klimës.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.