2017-11-14 12:59:00

Të diel, Dita Botërore e të Varfërve, me Papën Françesku


Të dielën e ardhshme, 19 nëntor, do të kremtohet Dita I Botërore e të Varfërve. Ditë e dëshiruar shumë nga Papa Françesku, në përfundim të Jubileut të Mëshirës, me qëllim që e gjithë bashkësia të ftohet t’u zgjasë dorën të varfërve, të ligshtëve, burrave e grave, që u mohohet dinjiteti njerëzor.

Këshilli Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, organizator i ngjarjes, në një komunikatë, njofton se në këtë ditë më se 4.000  njerëz të varfër e nevojtarë, të shoqëruar nga personeli i shoqatave të vullnetariatit, jo vetëm nga Roma e Lazio, por edhe nga dioqeza të ndryshme të botës, si Parisi, Lioni, Nantes, Angers, Varshava, Krakovi, Solsona, Malines- Brukseli e Luksemburgu) do të mblidhen në Bazilikën e Shën Pjetrit  për të marrë pjesë në Meshën e kremtuar nga Papa Françesku, në orën 10.00.

Pasi të përfundojë Mesha, 1.500 prej tyre do të  mblidhen në Sallën e Palit VI, për të marrë pjesë në drekën festive, bashkë me Papën Françesku. Drekën do ta gjallërojë Banda e Xhandarmërisë së Vatikanit dhe kori “Netë të ëmbla”, i përbërë nga fëmijë me moshë 5 deri në 14 vjeç. 2.550 të tjerë do të jenë mysafirë në mensat, seminaret e kolegjet katolike të Romës (Kolegji Papnor Amerikan i Veriut, Kolegji Apostolik Leonian, Mensa e Rrethit të Shën Pjetrit, e Caritas Roma, e Bashkësisë së Shën Egjidit, e Seminarit Romak Minor, e Ateneut Papnor Regina Apostolorum)  për të marrë pjesë në drekën festive.

Të varfërve do t’u shërbejnë 40 diakonë të dioqezës së Romës dhe rreth 150 vullnetarë ardhur nga famullitë e dioqezave të tjera. Menyja, që do të shërbehet në Sallën Pali VI nga restoranti “Al Piopetto”, përbëhet nga njoki sarde me salcë domatesh, ullinj me djathë, mish viçi me zarzavate, pulendër, tiramisù, ujë, arançatë e kafe.

Në këtë nismë marrin pjesë një mori organizatash, fondacionesh e grupesh, ndërmjet të cilave, edhe shëndetësore, që do të bëjnë, në Sheshin e Shën Pjetrit, vizita e analiza falas, sipas kërkesave.    








All the contents on this site are copyrighted ©.