2017-11-12 14:39:00

Të Lum në Madrid, 60 martirë të luftës civile spanjolle


“Je prift, a pak po të duket, a? Kjo, përgjigjja që i dhanë patrullat  marksise një meshtari, nësa binte nën breshërinë e plumbave të tyre. Ishte vetëm një, nga qindra martirët, që ranë gjatë periudhës së errët të persekutimit fetar në Spanjë, ku morën “yrnek” edhe masakratorët shqiptarë të klerit katolik. Ishin vitet ’30 të nëntëqindës, kur nisi konflikti, që mbeti në histori si Lufta civile spanjolle, gjatë së cilës, ndërmjet viteve 1936 e 1939, binin fli jo vetëm një mori meshtarësh rregulltarë e shekullarë, por edhe murgesha e laikë, fajtorë vetëm sepse ishin katolikë. Shumë prej tyre janë tashmë të Lum. E dje, në Madrid, u lumnuan edhe disa të tjerë, martirë të dioqezave të Barcellon-ës, Geron-ës, Valencias e Cartagen-nës. Papën e përfaqësonte kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që e përshkruan kështu atmosferën e atyre viteve, kur toka spanjolle u mbrujt me gjak të pafajshëm:

“Nga dokumentet dhe dëshmitë vërehet se shkaku kryesor për të cilin u vranë, qe vetëm se ishin katolikë. Në këto vite, kur kishte humbur ideja e vëllazërimit, e respektit për mendimin e deri për jetën e tjetrit, në shumë zona të Spanjës mbretëronte padrejtësia, shkelja e plotë e çdo të drejte, krimi. Synimi i vetëm - asgjësimi i plotë i  Kishës katolike.

Ndërmjet  të Lumëve të rinj, janë disa figura tejet prekëse, si lazaristi, atë Vicente Querault, meshtar i ditur, gojëtar i mprehtë e bamirës i madh. I thirrur nga Zoti që në rininë e parë, kur jetonte nën strehën e jetimores së Bijave të Dashurisë Hyjnore të Barcelonës, më pas ua kushtoi jetën ushtrimeve shpirtërore, shoqatave katolike rinore e misioneve popullore. Pas pushkatimit, u varros në një gropë të përbashkët. Prej këndej, i humbën edhe eshtrat. Po kurrë kujtimi.

Ishte vetëm 19 vjeç, valenciani Rafael Lluch Garín, bir i një familjeje  borgjeze, që i dha edukatë të thellë katolike. Gazmor, i zgjuar, me trup atletik e prirje për arte, kishte gjithnjë me vete një figure të Zojës së Bekuar. Kur filloi persekutimi e nisën të rrezikoheshin fort ata, që mbanin simbole fetare, i kujtuan se duhet ta hiqte medaljen e Marisë, nëse nuk donte t’i hiqnin jetën. U përgjigj: “Jetën mund të ma heqin, por kurrë Nënën time”. Në këto fjalë përmblidhet i gjithë kuptimi i martirizimit, që kardinali Amato e vuri në dukje, duke sqaruar pse Kisha e vlerëson shumë këtë Lumnim:

“Kisha i kremton me kënaqësi këto ngjarje, me një qëllim të dyfishtë: t’i ftojë besimtarët të mbeten të patundur në fe e t’i nxisë të gjithë ta shmangin rrezikun e përsëritjes së terrorit të atyre viteve të errta, që i përmbyti trojet e Spanjës me gjak njerëzish të pafajshëm e të pambrojtur. Lumnimi është rast për të vënë fort në dukje fitoren e së mirës mbi të keqen".

Në grupin e dytë të martirëve të lumnuar dje, bëjnë pjesë dy sivëllezër të Madridit. Manuel Trachiner Montaňana është viktima e parë e persekutimit të këtyre viteve në familjen Vincenciane: me karakter të fortë e fe të thellë për moshën - vetëm 21 vjeç - ishte shembull për të gjithë novicët, ashtu si  Vicente Cecilia Gallardo, edhe ai 20 vjeç, që u vra me të. Me që kishte hyrë në kongregatë vetëm një vit më parë, nuk i kishte bërë ende kushtet. Të dy udhëtonin të veshur tebdil si zdrukthëtarë, por në valixhe kishin fshehur edhe një kryq. I kontrolluan e ua gjetën. Mjaftoi kjo  për t’i dënuar menjëherë me vdekje.

E dinte se do të vdiste. E ndjente se Zoti po e thërriste t’i shkonte pranë si martir, Roque Catalán Domingo, i cili para se të nisej për kuvendin e Familjes Shenjte të Hortaleza, u tha sivëllezërve: “Po të mos kthehem, mos u shqetësoni për mua, por këndoni një Te Deum për ta falënderuar Zotin, sepse do të më kenë martirizuar e do të jem me Të në qiell”. Mesazh i fortë i heroizmit të krishterë, që dëshmon se feja e pathyeshme e mposht frikën dhe e mund mizorinë e ushtruar kundër të pafajshëmve. Kështu është gjithnjë feja e martirëve, të cilën kardinali Amato i ftoi të gjithë ta jetojnë, për të mos u rikthyer kurrë më urrejtja, që vret:

 “Jemi të thirrur të gjithë t’i kremtojmë e t’i imitojmë martirët, duke marrë shembull nga feja, shpresa e guximi i jetës së tyre, për ta ushqyer me të, jetën tonë të përditshme. E, të mos harrojmë të lutemi për vrasësit, duke dhuruar edhe ne - si martirët - dhantinë e çmueshme të ndjesës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.