2017-11-12 08:00:00

BE-liderët fetarë për Evropën e bazuar mbi vlerat


Të martën e kaluar, Frans Timmermans, zëvendës-president i parë i Komisionit evropian organizoi, në praninë e zëvendës-presidentes së Parlamentit evropian,  Mairead McGuinness, një takim të  nivelit të lartë  me liderët fetarë ardhur nga mbarë Evropa. Ky takim vjetor, i 13-ti i nivelit të lartë, u zhvillua në kuadrin e diskutimit në vijim, për ardhmërinë e Evropës, nisur nga presidenti Juncker me librin e bardhë  të Komisionit, më 1 mars.

Zëvendës-presidenti i parë, Frans Timmermans,  deklaroi: “Ardhmëria e Evropës është në duart e qytetarëve të saj. Të gjithë kemi përgjegjësi për t’i dhënë trajtë kësaj ardhmërie, duke u udhëhequr nga vlerat tona të përbashkëta. Dialogu i rregullt me organizatat konfesionale, ashtu si dialogu me organizatat jo konfesionale, na krijon kushtet ta përballojmë çështjen e ardhmërisë sonë të përbashkët nga këndvështrime të ndryshme. Vetëm përmes një dialogu, që i përfshin të gjithë, mund të përcaktojmë rrugën më të mirë që duhet ndjekur, për t’i dhënë formë ardhmërisë.  

Ky takim i nivelit të lartë, pjesë e dialogut të rregullt me Kishat, bashkësitë fetare dhe organizatat filozofike e jo konfesionale, i parashikuar nga neni 17 i Traktatit të Lisbonës, ishte rast për t’i diskutuar në mënyrë të thelluar  çështjet, që kanë të bëjnë me temat e vlerave e të qeverisjes. Diskutimi,  në vijim, mbi ardhmërinë e Evropës, synon ta bëjë Kontinentin e vjetër  më të bashkuar, më të fortë, më demokratik.

Në takim - siç njoftuan pjesëmarrësit në një konferencë shtypi – u diskutua për të ardhmen e projektit evropian, vlerat, identitetin, respektimin e larmive, kontributin e bashkësisë së besimtarëve në shtetin e së drejtës  e në drejtësinë shoqërore. Por u fol edhe mbi Brexit, Poloninë, të rinjtë në Evropë, punën, dialogun ndërmjet feve e edhe për problemin e tolerancës fetare. Të shumtë, liderët fetarë: imzot Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut; metropoliti Emmanuel i Francës, zëvendës-kryetar i Konferencës së Kishave evropiane, përfaqësues i Patriarkatit ekumenik të Kostantinopojës; imami Seyran Ates, i xhamisë Ibn Rushd-Goethe të Berlinit; metropoliti Cleopas i Suedisë dhe i gjithë Skandinavisë, i patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës; Massimo De Feo, president i Zonës Europa të Kishës së Jezu Krishtit të shenjtorëve të ditëve të fundit; Ron Eichhron, president i Bashkimit budist evropian; Albert Guigui, kryerabin i Brukselit; imam Tareq Oubrou, hoxha i madh i Bordeaux; Irmgard Schwaetzer, president i Sinodit të Kishës Ungjillore  të Gjermanisë; imzot Noel Treanor, ipeshkëv katolik i Down e Connor; kryeipeshkvi Urmas Viilma, i Kishës ungjillore luterane të  Estonisë.

Ky takim vjetor ishte i 13-ti i nivelit të lartë, organizuar nga Komisioni. Dialogu me kishat, bashkësitë fetare dhe organizatat filozofike e jo konfesionale u sanksionua nga Traktati i Lisbonës (neni 17 i Tfue) duke nisur nga viti 2009. Dialogu zhvillohet nën përgjegjësinë e zëvendës-presidentit të parë Timmermans. Më 19 qershor 2017 Komisioni  organizoi takimin e tij vjetor me organizatat jo konfesionale mbi të njëjtën temë “Ardhmëria e Evropës”.

Në marsin e kaluar, kur paraqiti Librin e bardhë, që niste reflektimin mbi të ardhmën e Evropës, Komisioni u angazhua të organizojë dialogë për të nxitur diskutimin mbi perspektivat e Evropës në vitin 2025. Në fjalimin e tij mbi gjendjen e Bashkimit më 2017, Presidenti Junker e paraqiti në mënyrë më të hollësishme vizionin e tij për të ardhmen e Evropës, duke nënvizuar se Evropa është sidomos Bashkim vlerash. Presidenti Juncker  propozoi edhe një tabelë marshimi për një Evropë më të bashkuar, më të fortë, më demokratike.








All the contents on this site are copyrighted ©.