2017-11-11 16:17:00

Papa: familja tradicionale është ilaç, përballë individualizmit, që ka marrë dhenë


Sot, në zemrat e breznive të reja, ndjehet “dëshira për të formuar familje”. Por është e vërtetë edhe se “në udhën e dashurisë bashkëshortore e të jetës familjare, ka situata që kërkojnë marrjen e vendimeve të vështira”. E pohoi Papa, në videomesazhin drejtuar pjesëmarrësve në simpoziumin ndërkombëtar kushtuar Nxitjes Apostolike Amoris laetitia, që vijon në Romë, organizuar nga Zyra për baritorinë familjare e Konferencës ipeshkvnore italiane, me temë: “Ungjilli i dashurisë ndërmjet ndërgjegjes e normës”.

“Dashuria ndërmjet burrit e gruas - vërejti Françesku - është sigurisht përvojë  njerëzore nga më  prodhimtaret, tharm i kulturës së takimit". I bën botës aktuale një injeksion, që ngjall frymën e shoqërimit: me të vërtetë “e mbara e familjes është vendimtare për ardhmërinë e botës e të Kishës”. Pikërisht familja e lindur nga martesa, krijon lidhje pjellorie, ilaçi më i efektshëm kundër individualizmit, që ka marrë dhenë. Ati i Shenjtë kërkoi që bashkëshortët dhe prindërit të mos lihen vetëm, por të shoqërohen në përpjekjen  për ta  jetuar Ungjillin në jetën e përditshme.

Bota bashkëkohore - shtoi Papa - rrezikohet ta ngatërrojë “parinë e ndërgjegjes”, që duhet respektuar gjithnjë, me “kultin e unit”, domethënë me një egolatri të mirëfilltë, që e ndot dhe e gërryen shpirtin, pështjellon mendjen dhe zemrën, duke krijuar shpresa  të kota.

Në shpirtin e secilit - pohoi Françesku - është  një “vend”, në të cilin misteri  zbulohet  dhe e ndriçon njeriun, duke e bërë protagonist  të historisë së vet: ndërgjegjja është “bërthama” e fshehtë e njeriut, ku, siç na kujton Koncili II i Vatikanit, ai është vetëm me Zotin.

“I krishteri duhet të vigjilojë që në këtë lloj tabernakulli të mos mungojë kurrë hiri hyjnor, i cili e ndriçon dhe e forcon dashurinë bashkëshortore si dhe misionin prindëror”.

“Jezusi - përfundoi Papa - na këshillon posaçërisht mjekësinë e mëshirës, që shëron ngurtësinë e zemrës, duke  shëruar, kështu, edhe marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas, ndërmjet prindërve e fëmijëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.