2017-11-10 11:48:00

Papa Françesku: urgjente, thirrja e Palit VI të punojmë për zhvillimin e njerëzimit


50 vjet më parë, botohej “Populorum progressio”, Letra enciklike e Papës Pali VI, që mbetet aktuale edhe sot. Papa Françesku e nënvizon këtë në një mesazh për pjesëmarrësit e Konferencës “Pali VI, Papa modern”, që u mbajt dje në Romë, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, me nismën e katedrës së të Drejtës kishtare në Universitetin Roma Tre, në bashkëpunim me Abacinë e Benedektinëve.

 “Thirrja solemne, që përmbahet në Letër, e cila kërkon ‘një aksion të përbashkët për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut’ e për ‘zhvillimin solidar të njerëzimit’ – shkruan Papa Françesku – tingëllon urgjente edhe në ditët tona, ndërsa varfëria përhapet e paqja shpërfillet përditë në shumë anë të botës”.

Ati i Shenjtë vë në dukje rëndësinë e reflektimit në Kuvendin e djeshëm, sidomos mbi temën e drejtësisë ndërmjet popujve. Për të arritur paqen, thekson, “është e nevojshme të zhduken arsyet e mosmarrëveshjeve, pikërisht duke filluar nga padrejtësitë; vërtet, paqja ndërmjet njerëzve është vepër e drejtësisë”. Më pas, duke përmendur dashurinë e Papës Pali VI për popullin italian, Françesku vë në dukje se “shpirti më i pastër i popullit italian dëshmon se solidariteti dhe afërsia janë baza të patjetërsueshme të bashkësisë njerëzore”. Vetëm përmes tyre, nënvizon Papa, mund “ta mbështesim atë humanizëm të vërtetë, që është gjithnjë modern e që nuk duhet të lodhemi kurrë së rishikuari e promovuari në çdo epokë, përndryshe do të cënonim vetë dinjitetin tonë”.

Gjatë konferencës së djeshme folën shumë personalitete kishtare dhe civile. Shumë të tjerë përveç Papës Françesku, duke u nisur nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dërguan mesazhe në kujtim të Papës Pali VI.








All the contents on this site are copyrighted ©.