2017-11-09 12:19:00

Papa në Shën Martë: të pastrohet Kisha, duke nisur nga vetvetja, për ta bërë të rritet


“Ta ndërtosh Kishën, ta ruash Kishën, ta pastrosh Kishën”. Mbi këto tri direktiva u shtjellua sot reflektimi i Papës në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, ditën kur përkujtohet kushtimi i Katedrales së Romës, “nënë e të gjitha Kishave”, titull që - shpjegoi Françesku -  nuk është shkas krenarie, por shërbimi e dashurie.

Mbi të gjitha “ta ndërtosh Kishën”: por - pyeti menjëherë Papa - cili është themeli i Kishës? Është Jezu Krishti - theksoi me forcë:

“Ai është guri i këndit në këtë ndërtesë. Pa Jezu Krishtin nuk ka Kishë. E pse? Sepse nuk ka themel. E nëse ndërtohet një kishë - mendojmë një kishë materiale - pa themele, ç’do t’i ngjasë? Do të shembet e tëra. Nëse nuk është Jezusi i gjallë në Kishë, ajo shembet kulm e themel”.

“Po ne, kush jemi? - vijoi të pyesë Françesku. “Jemi gurë të gjallë, jo të njëllojtë, të ndryshëm prej njëri-tjetrit, mbasi kjo është pasuria e Kishës. Secili nga ne ndërton sipas dhuratës, që i dha Zoti. Nuk mund  as ta mendojmë një Kishë uniforme: kjo nuk është Kishë.

Prej këndej duhet “ndërtuar Kisha”, duke pasur vetëdijen – porositi Papa - e Shpirtit Shenjt, që banon në ne:

“Sa të krishterë sot e dinë kush është Jezu Krishti, e dinë kush është Ati e pse e thonë Atynën? E pastaj, kur ti u flet për Shpirtin Shenjt... merr përgjigjen: ‘Ah, po, po, pëllumbi, pëllumbi', e përfundojnë me këtë fjalë. Po Shpirti Shenjt është jeta e Kishës, është jeta jote, jeta ime…ne jemi tempull i Shpirtit Shenjt e duhet të kujdesemi për Shpirtin Shenjt në atë pikë, që na e kujton Shën Pali, i cili i këshillon të krishterët ‘të mos e trishtojnë Shpirtin Shenjt’, domethënë të mos sillen në kundërshtim me harmoninë që krijon Shpirti Shenjt në shpirtin tonë e në Kishë. Ai është harmonia, ai e krijon harmoninë e kësaj ndërtese”. 

Së fundi “të pastrohet Kisha”, duke nisur nga vetvetja:

“.. ne jemi të gjithë mëkatarë: të gjithë. Nëse ndonjëri nuk është, të ngrejë dorën, sepse do të ishte kuriozitet i rrallë. Jemi të gjithë! E prandaj duhet të pastrohemi vazhdimisht. E ta pastrojmë edhe bashkësinë, bashkësinë dioqezane, bashkësinë e krishterë, bashkësinë universale të Kishës. Për ta bërë të rritet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.