2017-11-09 14:01:00

Papa Kolegjit Ukrainas: të jini Barinj të vërtetë, të mbështetur nga Fjala e Zotit


85 vjet pas ndërtimit të selisë romake të Kolegjit Ukrainas të Shën Jozafatit, Papa Françesku takohet, në Vatikan, me një përfaqësi të Bashkësisë.

Kolegji u themelua mbi Gianicolo me dëshirën e Piu XI, me qëllim që besimtarët e ardhur nga zonat e vuajtjes e të persekutimit, të ndjeheshin  si bij të dashur, që banojnë nën një strehë e rriten së bashku me të, duke u përgatitur për mision apostolik si diakonë e meshtarë. E pikërisht diakonët e meshtarët e ardhshëm të kësaj bashkësie, Françesku i ftoi ta studiojnë Doktrinën Shoqërore të Kishës, duke u rikujtuar shembullin e Papës Rati, “që e ngriti gjithnjë zërin për mbrojtjen e fesë, të lirisë, të Kishës dhe të dinjitetit transhndent të çdo njeriu”, duke i dënuar ideologjitë ateiste çnjerëzore, që e gjakosën shekullin e 20-të:

“Edhe në ditët tona bota plagoset nga lufta e nga dhuna - vijoi të nënvizojë Françesku. - Posaçërisht Kombi juaj i dashur ukrainas, prej nga vini e ku do të ktheheni në përfundim të studimeve në Romë”.

Kështu u shpreh Papa, për të vijuar me një inkurajim, mbështetur mbi fjalët e Ungjillit:

“Juve, seminaristë e meshtarë të Kishës greko-katolike ukrainase, këto sfida ndoshta mund t’ju duken jashta mundësive tuaja; por nuk duhen harruar fjalët e Shën Gjonit Apostull: ‘Ju shkruaj ju, të rinj, sepse e mundët djallin…e Fjala  e Zotit mbetet në ju’” (1Gjn 2,13.14).

Duke e dashur e duke e kumtuar Fjalën, do të bëheni barinj të bashkësive, që do t’ju besohen - kujtoi Françesku - e Fjala e Zotit do të jetë llamba, që do ta ndriçojë zemrën tuaj e shtëpinë tuaj, si kur përgatiteni për meshtarinë çelibatare, ashtu edhe për meshtarinë uksorate (që e përjashton, apo që e pranon martesën), sipas traditës së Kishës suaj.

Me porosinë për t’i dashur e për t’i ruajtur traditat “duke shmangur çdo formë sektarizmi” e duke u kërkuar njerëzve “të mësohen ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin”, t’i braktisin armët, luftërat e çdo lloj paudhësie, Papa i ftoi të mos e harrojnë kurrë besën e lidhur ndërmjet Zotit e njerëzimit.

Ndihmë e mbështetje në këtë rrugë - u kujtoi - është Nëna e Shenjtë e Zotit, e nderuar posaçërisht në Shenjtëroren kombëtare ukrainase të Zarnavytsya:

“Ajo dëshiron që meshtarët e Birit të saj të jenë si pishtarë të ndezur në natën e lutjes pranë Shenjtërores - vërejti Papa - duke u kujtuar të gjithëve, sidomos të varfërve e të vuajturve, e edhe atyre që bëjnë keq e mbjellin dhunë e shkatërrim, se ‘populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin nën hijen e vdekjes, shndriti një dritë”.

Françesku përfundoi me një hollësi personale: “Edhe unë ruaj dhe nderoj një ikonë të vogël ukrainase të Zojës së Dhembshurisë, dhuruar nga Kryeipeshkvi juaj i Madh, kur ishim bashkë në Buénos Ájres. Ju shoqëroj me bekimin tim, duke u lutur për paqe e harmoni ekumenike në Ukrainë. E ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë edhe për mua. Udhë të mbarë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.